Statujë gjigante e Papa Leonit XIV vendoset në Peru

Një statujë gjigante kushtuar Papa Leonit XIV është vendosur në qytetin portual të Callaos në Peru, vetëm pak ditë para vizitës së Atit të Shenjtë.

Monumenti, 14 metra i lartë, u ngrit me ndihmën e një vinçi, ndërsa pjesët kryesore, trupi dhe koka, u vendosën në pozicionin përfundimtar.

Vepra është transportuar gjatë natës nga punishtja ku u realizua dhe do të jetë një nga simbolet e pritjes së Atit të Shenjtë në këtë qytet.

Skulptori Rafael Gutierrez shpjegon se monumenti është projektuar për t’i rezistuar kusheve të vështira atmosferike.

“Skulptura është 14 metra e lartë, 4 metra është baza dhe 10 metra vetë monumenti. Brenda është ndërtuar me çelik të galvanizuar, i cili ka mbrojtje të integruar ndaj kripës së detit. Gjithashtu, është veshur me bojë speciale detare për të parandaluar korrozionin”, tha skulptori, Rafael Gutierrez.

Përfundimi i instalimit u prit me entuziazëm nga banorët dhe besimtarët katolikë.

Për komunitetin vendas, ky monument ka një domethënie të veçantë, pasi qyteti përgatitet për vizitën e parë papnore pas shumë vitesh.

“Dita kur Papa do të vijë është vetëm pak ditë larg. Të gjithë ne banorët e Callaos jemi krenarë që do ta kemi këtu. Pas kaq shumë vitesh, nuk kishim parë kurrë një Papë të vinte në qytetin tonë. Jemi të lumtur që ai do të jetë këtu, në parkun që pritet të inaugurohet”, tha një besimtare katolike, Kelly Mosquera.

Papa Leoni XIV pritet të mbërrijë në Peru më 11 nëntor. Itinerari zyrtar i vizitës përfshin edhe zonën bregdetare Costa Verde në Callao, pranë së cilës është vendosur monumenti gjigant, si një simbol i pritjes dhe krenarisë së komunitetit vendas.