Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur procedurë ndaj një personi dhe po ndërmerr veprime hetimore paraprake për shkak të dyshimeve për disa vepra penale: „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“, „Dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik“ dhe „Përvetësim në shërbim“.
Ekziston dyshimi i bazuar se e dyshuara, drejtuese e një filiali të bankës së kursimit në Kavadar, për një periudhë të gjatë kohore ka kryer veprime mashtruese dhe ka keqpërdorur paratë e depozituesve. Ajo ka realizuar kredi fiktive në emër të qytetarëve të dëmtuar dhe nuk i ka regjistruar në mënyrë të rregullt depozitat e tyre, duke përfituar kështu në mënyrë të kundërligjshme pasuri materiale.
Me qëllim të sigurimit të provave, në bazë të një urdhri të siguruar nga Gjykata me kërkesë të prokurorit publik, dje janë kryer disa bastisje, gjatë të cilave janë sekuestruar dokumentacion dhe sende të tjera.
Pasi veprimet e së dyshuarës janë zbuluar, banka e kursimit i ka ndërprerë marrëdhënien e punës.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, prokurori publik ka dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit, përkatësisht konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin që e dyshuara të paraqitet rregullisht në gjykatë.
Prokuroria Publike vazhdon të ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të rastit.


