Bekim Sali në inaugurimin e ndriçimit të Urës së Gurit: Një urë që lidh historinë dhe njerëzit tanë

Ura e Gurit, një nga monumentet më të njohura historike dhe kulturore të Shkupit, tashmë ka ndriçim të ri. Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili vlerësoi bashkëpunimin institucional që mundësoi realizimin e këtij projekti.
Projekti u realizua nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Komunën Esenler të Stambollit. Sipas Salit, ky bashkëpunim është dëshmi se partneriteti ndërmjet institucioneve mund të sjellë rezultate konkrete dhe të kontribuojë në përmirësimin e pamjes së qytetit.

Sali shprehu mirënjohje të veçantë për drejtorin ekzekutiv të Halkbank AD Shkup, Dr. Fatih Şahbaz, për kontributin e tij në sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e projektit.

“Një urë që lidh brigjet e Vardarit, por edhe historinë, kulturën dhe njerëzit tanë”, ka shkruar Bekim Sali, duke vlerësuar rëndësinë e këtij simboli të Shkupit.