NKP “Sharri” investon rreth 3 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, janë realizuar 200 intervenime

Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Sharri” ka investuar rreth 3 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik në Tetovë, gjatë periudhës njëvjeçare të mandatit të dytë të kryetarit të Komunës, Bilall Kasami.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Kasami gjatë raportimit për punën njëvjeçare, investimet në këtë sektor kapin vlerën e 195.839.942 denarëve, që përkthehen në rreth 3.2 milionë euro.

Përveç investimeve infrastrukturore, gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe rreth 200 intervenime për sanimin e defekteve të paraqitura në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Investimet përfshijnë ndërhyrje në rrjetin e furnizimit me ujë, si dhe në sistemet e kanalizimit fekal dhe atmosferik, të cilat janë pjesë e infrastrukturës bazë për funksionimin e qytetit.

Këto të dhëna u prezantuan nga kryetari Bilall Kasami në kuadër të raportit për realizimet e Komunës së Tetovës gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë.