Qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë në mbarë vendin, duke protestuar kundër pagave të ulëta dhe rritjes së kostos së jetesës.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, deri në orën 18:00 janë regjistruar 448 arrestime, 53 policë të lënduar dhe 86 incidente me zjarre. Autoritetet bëjnë të ditur se shumica e marshimeve të autorizuara kanë kaluar në mënyrë të qetë, megjithatë janë shënuar tensione në Paris, Lyon, Rennes dhe Toulouse.
Sa i përket pjesëmarrjes, Ministria e Brendshme vlerëson se në protesta kanë marrë pjesë rreth 575 mijë persona, prej të cilëve 65 mijë në Paris. Ndërkaq, sindikata CGT pretendon se numri i protestuesve në nivel vendi ka arritur në 1.6 milionë, përfshirë 350 mijë në kryeqytet.
Sekretarja e Përgjithshme e CGT-së, Sophie Binet, e cilësoi grevën si jashtëzakonisht efektive, duke kërkuar nga qeveria rritje të pagave për të gjithë punonjësit dhe rritje prej 10 për qind të pagës minimale.
Pas protestave, qeveria ka paralajmëruar mbajtjen e një konference sociale të hënën në Matignon, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve.
Greva ka shkaktuar ndërprerje edhe në sektorin e arsimit. Sipas Ministrisë së Arsimit të Lartë, aktivitetet janë ndërprerë në 60 nga gjithsej 184 institucione arsimore.
Ndërkohë, sindikata SNES-FSU ka raportuar se pjesëmarrja në grevë mes stafit të shkollave të mesme ka arritur në 52 për qind.
Policia ka ndërhyrë gjithashtu për të larguar bllokadat e vendosura nga studentët në disa qytete, përfshirë Parisin dhe Bordeaux.
Protestat janë pjesë e një lëvizjeje studentore që nisi në mesin e shtatorit, me kërkesa që lidhen me kushtet e studimit, financimin dhe çështjet e stafit.


