BE paralajmëron për rreziqet e TikTok: Algoritmi mund të dëmtojë shëndetin mendor

Komisioni Europian ka ngritur akuza ndaj TikTok për shkelje të rregullave të Bashkimit Europian, duke vlerësuar se algoritmet e platformës i mbajnë përdoruesit të ekspozuar ndaj një fluksi të pandërprerë videosh të ngjashme, edhe kur përmbajtja mund të ketë ndikim negativ tek ata.

Sipas Politico, gjetjet paraprake të publikuara të premten përbëjnë rastin e parë kur Komisioni Europian e cilëson sistemin e rekomandimit të përmbajtjeve të një rrjeti social si shkelje të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA). Sipas këtij legjislacioni, kompanitë që shkelin rregullat mund të përballen me gjoba deri në 6% të të ardhurave të tyre vjetore në nivel global.

Është hera e parë që po përballemi drejtpërdrejt me modelin e sistemeve të rekomandimit të bazuara në ndërveprimin e përdoruesve”, deklaroi një zyrtar i Komisionit Europian, i cili foli në kushte anonimiteti.

Kjo është hera e pestë që Komisioni Europian ngre akuza ndaj TikTok për mosrespektim të rregullave të BE-së. Megjithatë, deri tani, ndaj platformës në pronësi kineze nuk është vendosur asnjë gjobë.

Në qëndrimin e tij, Komisioni Europian vlerëson se TikTok nuk ka analizuar siç duhet rreziqet që lidhen me fenomenin e njohur si “rabbit hole” (vrima e lepurit). Ky mekanizëm i përfshin përdoruesit në një cikël të vazhdueshëm videosh të personalizuara, përfshirë përmbajtje që mund të ndikojnë në shëndetin mendor dhe në mënyrën se si individët perceptojnë imazhin e trupit të tyre.

Hetimi i autoriteteve europiane është përqendruar kryesisht te pasojat në shëndetin mendor. Një tjetër zyrtar i Komisionit Europian shpjegoi se “provat ishin më të forta” në këtë drejtim, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse të njëjtët mekanizma rekomandimi mund të ndikojnë edhe në radikalizimin e përdoruesve.

Sipas vlerësimit të Komisionit, algoritmi i TikTok funksionon në mënyrë të tillë që, sa më shumë një përdorues të ndërveprojë me një lloj të caktuar përmbajtjeje, aq më shpesh platforma i sugjeron video të ngjashme. Kjo ndodh edhe kur materialet e rekomanduara mund të jenë të dëmshme. Autoritetet europiane konsiderojnë gjithashtu se masat e ndërmarra deri më tani nga kompania për të frenuar këtë fenomen nuk kanë dhënë rezultatet e nevojshme.

Një prej kërkesave të ngritura nga zyrtarët europianë është që TikTok t’u kushtojë më shumë rëndësi preferencave të shprehura drejtpërdrejt nga përdoruesit. Konkretisht, opsioni “Nuk më intereson” duhet të ketë ndikim më të madh në përzgjedhjen e përmbajtjeve sesa sinjalet indirekte, si kohëzgjatja e shikimit të një videoje apo numri i pëlqimeve.

“Të thuash ‘Nuk më intereson’ duhet të ketë vlerë, një vlerë reale, dhe të mos trajtohet thjesht si një element dytësor, përpara se sistemi të rikthehet sërish te rekomandimet e mëparshme”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Akti për Shërbimet Digjitale kërkon që platformat t’u ofrojnë përdoruesve mundësinë për të parë përmbajtje që nuk përzgjidhen mbi bazën e personalizimit algoritmik. Por, sipas të dhënave të përmendura nga një zyrtar i Komisionit Europian, vetëm 0.2% e përdoruesve të TikTok e shfrytëzojnë këtë alternativë.

Pas publikimit të përfundimeve paraprake të hetimit, TikTok ka të drejtën të njihet me provat e administruara, të paraqesë argumentet në mbrojtje të praktikave të saj dhe të propozojë ndryshime për të adresuar shqetësimet e ngritura nga autoritetet europiane. Nëse këto masa konsiderohen të mjaftueshme dhe pranohen nga Komisioni Europian, kompania mund të shmangë vendosjen e një gjobe.

Edhe më parë, TikTok ka arritur të përmbyllë një hetim tjetër të zhvilluar në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale, që kishte në fokus transparencën e reklamave. Në atë rast, procedura u mbyll pasi kompania dhe Komisioni Europian ranë dakord për zbatimin e një sërë masash korrigjuese.