Europa është përfshirë sërish nga një valë kërcënimesh për bomba, duke shkaktuar alarm në disa aeroporte dhe institucione mediatike. Mëngjesin e kësaj të premteje, 6 nëntor, sinjalizime të reja u raportuan në fluturime drejt dhe nga Italia, si dhe në aeroportet e Pragës dhe Kopenhagenit.
Paralelisht, në Irlandë, disa redaksi mediash u detyruan të evakuonin punonjësit pas marrjes së mesazheve kërcënuese për shpërthime. Incidentet vijnë një ditë pas një vale alarmesh të rreme që prekën të paktën 25 fluturime në vende të ndryshme europiane.
Një nga rastet e fundit lidhet me një avion të kompanisë Ryanair, i cili udhëtonte nga Roma drejt Lisbonës. Avioni u ul në aeroportin e kryeqytetit portugez rreth orës 08:00 me orën lokale, ku autoritetet nisën kontrollet për të verifikuar kërcënimin.
Ndërkohë, një tjetër alarm u dha për një fluturim të Uizz Air nga Praga drejt Romës. Pas një telefonate anonime në kullën e kontrollit në Fiumicino, avioni u devijua drejt Venecias, ku nisi kontrolli nga policia. Autoritetet çeke konfirmuan se po hetojnë kërcënime ndaj disa avionëve që mbërrinin dhe niseshin nga aeroporti i Pragës, ku të paktën tetë fluturime u prekën.
Edhe aeroporti i Kopenhagenit u përball me kërcënime të reja, duke detyruar policinë daneze të ndërhynte dhe të niste hetimet. Sipas vlerësimit paraprak të autoriteteve, nuk ka pasur rrezik për pasagjerët apo personat e tjerë në aeroport.
Ndërkohë, në Itali, mesazhe kërcënuese u dërguan te punonjësit e Aeroportit të Romës dhe një kompanie private të logjistikës ajrore, ku pretendohej se në dy avionë, nga Helsinki dhe Dublini, ishin vendosur eksplozivë. Kërcënimi rezultoi i pabazë, por aktivizoi menjëherë strukturat e sigurisë dhe Policinë Postare.
Situata është përhapur edhe në Irlandë, ku disa media u detyruan të ndërprisnin transmetimet dhe të evakuonin stafet. Mes institucioneve të prekura ishin transmetuesi publik RTÉ, Neustalk Radio, Today FM, Virgin Media dhe gazeta Irish Independent. Alarmet erdhën përmes një e-maili, ku paralajmërohej se një shpërthim do të ndodhte brenda 45 minutash.
Policia ndërhyri në ambientet e mediave, shoqëruar nga qen të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve, ndërsa transmetimet e zakonshme të RTÉ Radio One rifilluan më vonë. Autoritetet europiane po hetojnë nëse këto incidente janë pjesë e një fushate të koordinuar kërcënimesh, e cila gjatë ditëve të fundit ka prekur transportin, mediat dhe sektorë të tjerë strategjikë.


