LSDM-ja akuzon se Qeveria ka ofruar aksione të 16 institucioneve publike në interes të bankës serbe Alta Banka dhe pronarit të saj, Davor Macura. Këtë e deklaroi zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, duke iu referuar procesverbalit të një seance të Qeverisë nga shtatori i vitit 2025. Kuzeska pretendon se ekzistojnë kundërthënie në deklaratat e ministres Gordana Koçoska dhe guvernatorit Trajko Sllaveski lidhur me atë se kush ishte informuar dhe konsultuar për vendimet. Nga LSDM-ja kërkojnë që Prokuroria të hapë menjëherë hetim, ndërsa Prokuroria Evropiane të hetojë rrjedhën e parave të lidhura me bankën.
“Trajko Sllaveski thotë se ka pasur konsultime, Koçoska thotë se nuk ka pasur dhe se nuk ka qenë e informuar. Sapo hapin gojën, gënjejnë. Ja procesverbali i seancës së Qeverisë të mbajtur më 23 shtator të vitit 2025. Me propozim të Koçoskës, Qeveria e Mickoskit ka miratuar konkluzione për marrjen e aksioneve nga ana e Alta Banka AD Beograd në 16 institucione publike”. tha Bogdanka Kuzeska
VMRO-DPMNE-ja në pushtet akuzoi LSDM-në se qëllimisht po krijon histeri, me synimin për t’i shkaktuar dëm shtetit dhe qytetarëve. Nga kjo parti përmendën, siç i cilësuan ata, histeritë rreth kredisë hungareze, migrantëve dhe gjendjes në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor. Ata shtojnë se shteti dhe institucionet kompetente po bëjnë gjithçka dhe po ndërmarrin të gjitha masat për të mbrojtur interesat dhe paratë e qytetarëve.
“Krerët e LSDM-së tashmë e kanë kaluar kufirin. E vetmja gjë që bëjnë gjatë dy viteve të fundit është përhapja e panikut mes qytetarëve, përpjekja për të krijuar mosbesim ndaj institucioneve, si dhe histeri dhe kaos në shoqëri. Prandaj, kjo sjellje e funksionarëve të LSDM-së është e dënueshme sipas Kodit Penal, në nenin 315, i cili quhet sabotim dhe parasheh të paktën tre vjet burg për atë që me vetëdije i shkakton dëm një personi juridik. I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të hapë rast sipas detyrës zyrtare, pas marrjes së informacionit, dhe të reagojë”, tha Brane Petrushevski
Ndryshe, guvernatori i Bankës Popullore, para disa ditësh, gjatë një paraqitjeje televizive deklaroi se, megjithëse Banka Popullore është institucion i pavarur, për këtë çështje ishte konsultuar edhe me Qeverinë. Por Koçoska, nën kompetencat e së cilës janë Policia Financiare dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare, pretendon se nuk është pyetur fare, përkatësisht nuk është konsultuar lidhur me hyrjen e kësaj banke në tregun bankar të Maqedonisë.


