Mali i Zi mbyll edhe dy kapituj me BE-në

Mali i Zi ka mbyllur këtë të premte edhe dy kapituj në negociatat me BE-në ato për lëvizjen e lirë të mallrave dhe atë për sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare.

“Çdo reformë kërkon angazhim të madh, rezultatet janë këtu. Fokusi ynë mbetet i pandryshuar, sundimi i ligjit, institucione të forta, standarde më të mira jetese për qytetarët. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort në javët në vijim për të mbyllur të gjitha kapitujt deri në fund të vitit, në mënyrë që traktati i pranimit të mund të nënshkruhet në muajin qershor dhe të arrijmë qëllimin historik të anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në BE në vitin 2028”, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic.

“Ne i mbetemi pikëpamjes se është e mundur që të mbyllen të gjitha kapitujt gjatë presidencës irlandeze, pra deri në fund të këtij viti. Kam folur me qeveritarët kroatë dhe është e qartë se ka ende disa çështje të hapura”, tha Ministri për Evropën i Irlandës, Thomas Byrne.

Lidhur me marrëdhëniet me Kroacinë, Spajić tha se do të bënte gjithçka që çdo çështje e hapur të zgjidhet në stilin evropian.