Në Raportin e sivjemë shënon përparim më të madh lidhur me vitin e kaluar, veçanërisht në fushat e transformimit digjital, kërkimit, shkencës, arsimit, si dhe në ndërmarrjen e hapave në sundimin e së drejtës – tha ambasadori evropian Mihalis Rokas në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski, për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendin.
“Ka përparim, veçanërisht në fushat e transformimit digjital, kërkimit, shkencës, arsimit dhe sigurisht që kemi parë tashmë se po ndërmerren hapa të rëndësishëm në sundimin e së drejtës. Janë miratuar shumë ligje të mira dhe një vit më vonë, po, shohim përparim dhe kjo është e qartë. Duhet ta përsëris se këtë duhet ta shohim si ushtrim vjetor dhe faktin se vendi tashmë ka arritur nivel të mirë gatishmërie. Natyrisht, duam të shohim edhe më shumë përparim”, tha Rokasi.
Ai renditi gjërat pozitive për vendin, siç është harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së në kohë sfidash serioze, gjë që, siç tha ai, tregon se vendi është vërtet partner i sigurt që ndan prioritetet tona strategjike.
“Maqedonia e Veriut gjithashtu ka arritur tashmë harmonizim të konsiderueshëm me legjislacionin e BE-së dhe mbetet një nga vendet kandidate me nivelin më të lartë të gatishmërisë. Raporti për vitin 2026 vlerëson pozitivisht zhvillimin, të cilin e përmendi kryeministri. Maqedonia e Veriut e ka intensifikuar angazhimin e saj kur bëhet fjalë për Planin e rritjes së BE-së dhe është bërë një nga vendet kryesore me rezultate të mira në zbatimin e Agjendës reformuese. Kemi parë përparim, veçanërisht kur bëhet fjalë për transformimin digjital, shkencën dhe arsimin, duke përfshirë edhe miratimin e ligjit për komunikimet elektronike. Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi midis progresit në Agjendën reformuese dhe vlerësimit më të gjerë të raportit. Raporti i zgjerimit mbulon të gjitha fushat e marrëdhënies me BE-në, ku progresi është i pabarabartë”, tha Rokasi.
Sipas tij, Raporti identifikon fushat ku nevojiten veprime dhe aktivitete më të vendosura dhe më të qarta – gjyqësor i pavarur, institucione të forta dhe luftë kundër korrupsionit, të cilat janë të domosdoshme dhe thelbësore për anëtarësimin në BE.
“Para së gjithash, ato janë thelbësore për qytetarët dhe bizneset. Raporti tregon se nuk është arritur përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit gjatë periudhës raportuese. Kjo kërkon institucione më të forta, ndjekje penale dhe hetime efektive, si dhe rezultate të prekshme në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Pavarësia gjyqësore duhet të jetë me mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe gjithashtu shumë e rëndësishme është mbrojtja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Nevojiten përpjekje të mëtejshme edhe kur bëhet fjalë për administratën publike, prokurimet publike, energjetikën dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Këto reforma nuk janë vetëm kërkesa për procesin e aderimit. Ato janë thelbësore për përmirësimin e jetës së njerëzve, për forcimin e besimit në institucione, si dhe për krijimin e mundësive për rritje ekonomike”, theksoi Rokasi.
Ai theksoi se Raporti gjithashtu kujton hapat e nevojshëm për të çuar përpara negociatat e aderimit.
“Gjithashtu, ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022 nuk kanë përfunduar ende. Këto janë detyrime të marra përsipër nga vendi. BE-ja është gati të përfundojë hapjen e negociatave në momentin që të miratohen ndryshimet. I bëjmë thirrje të gjitha palëve politike të punojnë në mënyrë aktive dhe të ecin përpara drejt anëtarësimit në BE, gjë që kërkon përpjekje kombëtare me dialog dhe bashkëpunim të konsiderueshëm midis aktorëve politikë dhe shoqërisë. Nuk ka asnjë arsye të pritet për të zbatuar ato reforma nga të cilat qytetarët gjithsesi kanë përfitim. Këtë e shohim në Planin e rritjes, sepse ai sjell përfitimet e anëtarësimit në BE edhe para se të ndodhë”, tha ai.
Si përfitime shtesë për qytetarët, euroambasadori përmendi pjesëmarrjen e vendit në Zonën e vetme të pagesave (SEPA).
“Bashkimi Evropian do të mbetet partner i përkushtuar që do të ofrojë mbështetje politike, teknike dhe financiare, por në fund të fundit, progresi varet nga rezultatet këtu. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut. Evropa po përballet me sfida të thella gjeopolitike, zgjerimi është bërë prioritet edhe më i madh strategjik dhe investim në paqen, prosperitetin dhe stabilitetin tonë të përbashkët. Zgjerimi vazhdon më tej. Vendet që realizojnë reforma dhe përmbushin detyrimet e tyre dhe bëjnë përparim të prekshëm drejt anëtarësimit në BE”, tha Rokasi.
Ai shtoi se Bashkimi i njeh përpjekjet e vendit, potencialin dhe aspiratat e popullit.
“Përkushtimi ynë për të ardhmen tuaj në Bashkimin Evropian mbetet ende i fortë dhe i pandryshuar. Raporti i progresit për zgjerimin 2026 është udhërrëfyes i qartë për rrugën që kemi përpara dhe tani është koha të shfrytëzojmë këto mundësi”, tha Rokasi.
Në pyetjen e gazetarit sa i përket lirisë së medias, se BE-ja nuk vëren se mediat, televizionet kombëtare dhe gazetarët janë nën kërcënim të drejtpërdrejtë politik nga LSDM-ja opozitare, Rokas u përgjigj se liria e medias është fusha ku duhet punuar ende.
“Vendi duhet të rishikojë kornizën ligjore në lidhje me mediat për ta harmonizuar atë me legjislacionin e BE-së dhe standardet e BE-së, veçanërisht duke vendosur rregulla për transparencë të plotë për pronësinë e mediave, për reklamat shtetërore, konkurrencën, ndihmën shtetërore, si dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Sigurisht, ka ende gjëra që duhen bërë dhe padyshim që fusha që lidhet me mediat mendoj se e meriton vëmendjen tonë të plotë dhe ne po ndjekim gjithçka nga afër dhe sigurisht po ofrojmë të gjitha këshillat e mundshme, kur na kërkohet dhe kur na pyesin se si mund të kontribuojmë në këto ndryshime ligjore që do t’i forcojnë mediat në mënyrën më të mirë të mundshme.


