Ambasada amerikane përgëzon Liridona Beqirin dhe Boris Shambevskin për pjesëmarrjen në IVLP

Liridona Beqiri dhe Boris Shambevski kanë marrë pjesë në Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës (IVLP) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë bashkuar me udhëheqës të rinj nga vende të ndryshme të Evropës për të shkëmbyer përvoja me përfaqësues amerikanë nga institucionet qeveritare, shoqëria civile dhe sektori privat.

Pjesëmarrja e tyre është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, e cila përmes një publikimi ka vlerësuar këtë përvojë dhe ka përgëzuar dy pjesëmarrësit për përfshirjen në rrjetin ndërkombëtar të ish-pjesëmarrësve të programit.

“Përmes Programit Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës (IVLP), ata patën mundësinë të njihen nga afër me çështjet aktuale politike, ekonomike dhe sociale në nivel federal, shtetëror dhe lokal në SHBA”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Ambasada ka përgëzuar Beqirin dhe Shambevskin për këtë arritje, duke theksuar se me pjesëmarrjen në program ata tashmë janë pjesë e rrjetit global të ish-pjesëmarrësve të IVLP-së.