Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim
nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me qëllim mbështetjen e zhvillimit të kualifikimeve
dhe programeve të trajnimit për sektorët e menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomisë qarkore.
Partneriteti do të kontribuojë në përgatitjen e standardeve të profesioneve dhe kualifikimeve,
planeve mësimore, programeve mësimore dhe programeve të trajnimit, në përputhje me
kornizën Kombëtare të kualifikimeve në Maqedoni. Bashkëpunimi do të forcojë kapacitetet e
institucioneve arsimore dhe të ofruesve të trajnimeve për zbatimin e programeve që do t’u
sigurojnë njerëzve aftësitë e nevojshme për një sektor bashkëkohor dhe të sigurt të
menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Vendosja e këtij bashkëpunimi është pjesë e një programi të financuar nga Bashkimi
Evropian, i cili lidhet me projektin Rajonal për mbetjet e ngurta, të financuar nga BERZH.
Projekti mbështet ndërtimin e deponive sanitare në përputhje me standardet evropiane,
ndërtimin e stacioneve të transferimit dhe blerjen e pajisjeve të reja në rajonet e Pellagonisë
dhe Jugperëndimit, rajonin e Pollogut dhe rajonet e Vardarit dhe Juglindjes.
Një sistem modern i menaxhimit të mbetjeve nuk varet vetëm nga infrastruktura e re, por
edhe nga fuqia punëtore e kualifikuar, e aftë për ta menaxhuar sistemin në mënyrë efikase,
për ta mirëmbajtur dhe për ta shfrytëzuar atë. Në këtë drejtim, iniciativa do të mbështesë
krijimin e rrugëve të reja arsimore për nxënësit e shkollave të mesme, mësimdhënësit,
personat e papunë, punëtorët që dëshirojnë të fitojnë aftësi të reja dhe të rriturit me përvojë
përkatëse teknike, duke përfshirë edhe personat që përballen me pengesa në qasjen në arsimin
formal dhe punësim.
“Me vendosjen e këtij bashkëpunimi, do të japim një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e
një sistemi për menaxhimin e duhur të mbetjeve dhe, rrjedhimisht, në uljen e ndotjes së
mjedisit. Infrastruktura është e rëndësishme, por po aq i rëndësishëm është edhe kuadri
profesional. Do të krijojmë kuadrin profesional të nevojshëm për vendet ekzistuese të punës,
por edhe për shumë vende të reja të ashtuquajtura të gjelbra të punës, që do të hapen në të
ardhmen”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, pas nënshkrimit të
memorandumit.
“Infrastruktura moderne për menaxhimin e mbetjeve kërkon fuqi punëtore të kualifikuar dhe
gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të realizohen plotësisht përfitimet mjedisore, ekonomike dhe
sociale. Ky partneritet do të ndihmojë që projekti Rajonal për mbetjet e ngurta të shndërrohet
në mundësi afatgjata për njerëzit, duke filluar nga trajnimet bazë për operatorët e menaxhimit
të mbetjeve e deri te kualifikimet për pozita teknike dhe drejtuese. Investimi në aftësi është
thelbësor për zhvillimin e një ekonomie qarkore në përputhje me standardet e BE-së dhe për
sigurimin e përfitimeve të drejtpërdrejta për komunitetet nga ky investim i rëndësishëm”,
deklaroi Fatih Turkmenogllu, udhëheqës i BERZH për Maqedoninë.
Udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, Stefano
Elero, theksoi: „Tranzicioni drejt sistemit bashkëkohor dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të
mbeturinave, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, nënkupton shumë më tepër
sesa ndërtimin e infrastrukturës – që nënkupton krijimin e mundësive për njerëzit dhe
sigurimin e kushteve që të gjithë të përfitojnë nga tranzicioni i gjelbër. Përmes këtij
partneriteti, ne investojmë në aftësitë, njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e
fuqisë punëtore të kualifikuar, duke promovuar njëkohësisht mundësi gjithëpërfshirëse dhe
shoqërisht të përgjegjshme për punësim. Duke ndërlidhur arsimin dhe trajnimet me nevojat e
sektorit të menaxhimit të mbeturinave, i cili është në zhvillim e sipër, si dhe duke integruar
parimet e përgjegjësisë shoqërore në proceset e prokurimit publik, mund të sigurojmë që ky
investim të sjellë përfitime afatgjata ekologjike, ekonomike dhe sociale. Ambicia jonë është
që tranzicioni i gjelbër të jetë jo vetëm i qëndrueshëm, por edhe gjithëpërfshirës, duke
siguruar që askush të mos mbetet pas”.
Ministria, BERZH dhe partnerët përkatës nga fusha e arsimit, trajnimit dhe sektori përkatës
do të formojnë një grup të përbashkët pune për zhvillimin e kualifikimeve dhe programeve të
trajnimit që do t’u përgjigjen nevojave operative, teknike dhe drejtuese të sistemit të ri rajonal
për menaxhimin e mbetjeve.


