Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të vizitës së saj të punës në Bruksel, zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, gjatë të cilit e riafirmoi përkushtimin e shtetit tonë ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive.
Siç njoftuan nga Kabineti i Presidentes, ajo theksoi se uniteti i aleatëve dhe lidhja e fortë transatlantike janë parakushte themelore për sigurinë e aleatëve.
Siljanovska-Davkova riafirmoi angazhimin për arritjen e objektivit të ndarjes së mjeteve financiare, në përputhje me Planin e Hagës, duke theksuar se vazhdimisht investojmë në modernizimin e Armatës, qëndrueshmërinë kibernetike, teknologjitë e reja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Presidentja theksoi se Korridoret 8 dhe 10 nuk janë vetëm projekte infrastrukturore, por edhe korridore strategjike që lidhin bashkëpunimin rajonal me interesat e sigurisë së NATO-s dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në kontekstin e mobilitetit ushtarak.
Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësinë për certifikimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë si njësi e gatshme për luftim, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të profesionalizmit dhe aftësisë së Armatës për të kontribuar në operacionet e udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja dhe KB-ja.
“Duke iu referuar përvojës së anëtarësimit në NATO, ajo theksoi se përmbushja e standardeve të larta aleate duhet të shërbejë si shembull për zbatimin e vazhdueshëm të kritereve të Kopenhagës në procesin e integrimit evropian”, theksojnë nga kabineti i Siljanovska-Davkovës.
Presidentja riafirmoi mbështetjen për Ukrainën dhe nevojën për ndihmë të vazhdueshme politike, ushtarake, financiare dhe humanitare, në shenjë solidariteti aleat.
Sipas saj, paqja gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa respektimi i vazhdueshëm i këtyre parimeve është i pandashëm nga respektimi i rendit ndërkombëtar.


