Bisedimet e ardhshme trepalëshe në Abu Dhabi mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të përqendrohen te çështjet e sigurisë dhe garancitë e ndërsjella për të dyja vendet. Deklarata është bërë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë për televizionin rus “Vesti”.
Peskov theksoi se garancitë e sigurisë nuk mund të jenë të njëanshme, duke nënvizuar se siguria e një shteti nuk duhet të garantohet në dëm të një tjetri. Sipas tij, parimi i sigurisë së pandashme mbetet një nga elementet kryesore të qëndrimit të Moskës për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Ai bëri të ditur se detajet e këtyre diskutimeve do të trajtohen me dyer të mbyllura, ndërsa përjashtoi mundësinë e përfshirjes së vendeve evropiane në këtë raund negociatash, pasi palët kanë rënë dakord për një format trepalësh, me Rusinë dhe Ukrainën në tryezë dhe SHBA-në si ndërmjetëse.
Sa i përket përfaqësimit rus, Peskov konfirmoi se delegacioni do të përbëhet nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme shtetërore, përfshirë Ministrinë e Jashtme, ndërsa do të drejtohet nga Vladimir Medinsky.


