Deklarimi i Demirit në Polici: Dy trupat i gjeta në dhomë, s’jam fajtor

Gjykata Themelor në Gjilan ka caktuar tashmë masën e paraburgimit ndaj Brahim Demirit, i dyshuar për vrasjen e të birit, të dielën, në shtëpinë e tyre në fshatin Demiraj.

I dyshuari kryesor, fillimisht nuk e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.

Gazetarja e Klan Kosova, Altiana Zogaj, në emisionin ‘Kosova Today’ në Klan Kosova, tha se i njëjti ka tentuar ta inskenojë atë që kishte ndodhur.

Sipas saj, Demiri ka deklaruar para hetuesve policorë se dy trupat, të djalit dhe të mbesës foshnje (që dyshohet se e mbyti i ndjeri), i ka gjetur të vdekur në dhomë.

“I dyshuari kryesor nuk e ka pranuar fajësinë para policëve. Ai ka deklaruar se nuk është i fajshëm dhe dy trupat i ka gjetur të vdekur në dhomë, ndonëse aty është gjetur një litar. Ai dyshohet se ka tentuar ta inskenojë.”