Bekim Sali takon mërgatën në Hamburg, në fokus investimet dhe lehtësimi i shërbimeve konsullore

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Hamburg të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët, ku janë diskutuar mundësitë për rritjen e investimeve në Maqedoninë e Veriut dhe përmirësimin e shërbimeve për mërgatën.

Në fokus të takimit kanë qenë lehtësimi i shërbimeve konsullore, digjitalizimi i procedurave administrative dhe mundësia që qytetarët të pajisen me dokumente në formë elektronike.

Sali ka theksuar rëndësinë e mërgatës si potencial ekonomik dhe profesional, duke nënvizuar nevojën për krijimin e kushteve që mundësojnë komunikim më të lehtë me institucionet dhe përfshirje më të madhe në zhvillimin e vendit.

“Gjatë qëndrimit në Hamburg, zhvillova një takim me bashkatdhetarët tanë, ku diskutuam për çështje me interes të drejtpërdrejtë për mërgatën dhe forcimin e lidhjeve të saj me vendlindjen.

Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për investime në Maqedoninë e Veriut, përmirësimi dhe lehtësimi i shërbimeve konsullore, si dhe digjitalizimi i procedurave administrative, përfshirë mundësinë e pajisjes me dokumente në formë elektronike.

Mërgata jonë përfaqëson një potencial të rëndësishëm ekonomik dhe profesional, ndaj mbetet prioritet krijimi i kushteve që lehtësojnë komunikimin me institucionet dhe nxisin përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit.

Mirënjohje bashkatdhetarëve në Hamburg për mikpritjen, diskutimin konstruktiv dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj vendlindjes”, ka shkruar Sali.