Lionel Messi ishte sërish protagonist tek Inter Miami, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të rëndësishme 2-1 ndaj New England Revolution. Argjentinasi dha asistin për golin e barazimit dhe më pas realizoi vetë golin vendimtar, me një goditje spektakolare në minutën e 83-të.
Pas një pasimi të venezuelianit Telasco Segovia, Messi goditi me të majtën, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur përmbysjen e skuadrës së tij. Ky ishte goli i 26-të i yllit argjentinas në këtë sezon të MLS-së. Klubi nga Florida e përshëndeti realizimin me një mesazh në rrjetet sociale: “Një tjetër moment magjie nga Messi”.
New England kishte kaluar në avantazh në minutën e 53-të me Dániel Gazdag, por Inter Miami reagoi në pjesën e dytë. Germán Berterame riktheu baraspeshën në minutën e 69-të me një goditje me kokë, përpara se Messi të vendoste fatin e takimit.
Triumfi ka një rëndësi të veçantë për Inter Miami, që ngjitet në vendin e dytë të Konferencës Lindore me 59 pikë, një më shumë se New England Revolution. Përveç pozicionit në renditje, skuadra ka siguruar edhe pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të “Concachampions”, kompeticion që Messi ende nuk e ka fituar.
Gjithsesi, gara për vendin e dytë mbetet e hapur deri në javën e fundit. Inter Miami do të përballet me Charlotte, ndërsa New England do të kërkojë pikët ndaj Orlando City-t.


