Rezultatet e sistemit “Qyteti i Sigurt”, Qytetarët: Nuk mjaftojnë vetëm dënimet, duhet edhe vetëdijësim

Kamerat nga sistemi “Qyteti i Sigurt” evidentojnë shkeljet e vozitësve në komunikacion por kjo nuk ka mjaftuar që qytetarët të ndjehen të sigurt. Ata të pyetur nga TV SHENJA thonë se problem nuk zgjidhet vetëm me kamera përderisa popullit i mungon kultura e komunikacionit. Qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen në komunikacion. Disa thonë se pakujdesia e shoferëve vazhdon të jetë e pranishme, disa të tjerë vënë në pah mungesen e kamerave në disa pika problematike për ta.

“Aspak, aspak, hiq, shkurtimisht aspak nuk ka në rrugë përgjegjësi, asgjë hiq. Mos të kishin qenë kamerat akoma më shumë ndeshje kishte me pas. Pakujdesi si udhëtarët si vozitësit. E ruaj veten, mos me pas kujdes moti më kishin mbyt”.

“Tani për tani nuk është të themi shumë mire në të ardhmen shpresoj nga këto kamerat të bëhet edhe më mire, ja këtu tek vizëbardhat nuk ka kamera, mezi kalojnë udhëtarët nga veturat që vozisin me shpejtësi”

Ata po ashtu kanë shtuar se, fillimisht duhet të rregullohet infrastruktura rrugore e më pas rregullat e tjera. Ata bindshëm shprehen se nuk ndjejnë siguri në trafik.

“Më së pari rrugët duhet t’i kemi të pastërta, e pastaj të tjerat në vijim. Ne nuk kemi shtet prandaj luajnë me ne, po të kishte shtet do ishte ndryshe, të gjithë hajdutët tek ne kanë marrë pozicione”.

“Qyteti nuk është më i sigurt, sepse askush nuk i respekton rregullat e komunikacionit, vozisin mbi trotuare, me shpejtësi të mëdha. Unë nuk jam I kënaqur aspak, nuk ndjehem I sigurt. Përderisa nuk kemi kulturë komunikacioni nuk kemi asgjë, së pari populli duhet të ketë kulturë në kounikacion e pastaj të vlejnë rregullat”.

Ndërkaq nga MPB të pyetur nga TV SHENJA lidhur me efikasitetin e kamerave në rrugë thanë se Sistemi “Qyteti i Sigurt” përfaqëson një segment të rëndësishëm në modernizimin dhe përmirësimin e efikasitetit të kontrollit të trafikut dhe se zbatimi i tij mundëson evidentimin dhe dokumentimin e kundërvajtjeve në trafik, veprimin më efikas nga ana e shërbimeve kompetente dhe zbatimin e vazhdueshëm të dispozitave ligjore.Sipas tyre MPB vazhdimisht ndërmer aktivitete që kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacion.

”Nga aspekti i zbatimit të deritanishëm, sistemi “ Qyteti i sigurt” kontribuon në zbulimin dhe procedimin më efikas të kundërvajtjeve në trafik. Qëllimi nuk është vetëm ndëshkimi i shoferëve të papërgjegjshëm, por mbi të gjitha rritja e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave dhe dispozitave të trafikut, zhvillimi i sjelljes së përgjegjshme dhe krijimi i një mjedisi më të sigurt në trafik për të gjithë pjesëmarrësit”.

Ata thonë se paralelisht me zbatimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, MPB përmes të gjithë sektorëve të punëve të brendshme, vazhdon të realizojë kontrolle të rregullta, me theks të veçantë te kundërvajtjet që më së shpeshti shkaktojnë aksidente trafiku, siç janë: drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi kufirin e lejuar, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, drejtimi i automjetit pa patentë shoferi, parakalimi i parregullt, mosrespektimi i sinjalizimit rrugor, si dhe përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit.

Ndërkaq vetëm gjatë 3 ditëve të fudnjavës së kaluar, zyrtarët policorë kanë konstatuar 2.720 kundërvajtje në trafik, si dhe 67 persona janë privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.