Më shumë se një e katërta e të rinjve në Britani thonë tani se anëtarësimi në palestër ka më shumë rëndësi për ta sesa pushimet apo të ngrënit jashtë.
Të dhënat e Sport England tregojnë se Gjenerata Z ka filluar të largohet nga vrapimi, noti dhe klasat e fitnesit, duke iu drejtuar palestrës dhe stërvitjes së forcës. Për ta, ngritja e peshave shihet si forma më e mirë e ushtrimeve, sepse ndihmon në rritjen e forcës, përmirësimin e pamjes fizike dhe ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Për më shumë se dy shekuj, njerëzit kanë debatuar se cilat janë format më të mira të ushtrimeve fizike. Ndërsa sot prirjet e fitnesit lidhen më shumë me përmirësimin e trupit dhe të formës fizike në përgjithësi, shëndeti rrallë ka qenë arsyeja e vetme pse disa lloje ushtrimesh janë bërë të njohura gjatë historisë.
Napoleoni dhe gjimnastika
Në vitin 1806, Napoleon Bonaparti pushtoi Prusinë dhe, pa e kuptuar, krijoi industrinë moderne të fitnesit.
Ndërsa trupat e Napoleonit përparonin drejt lindjes, një prusian, Friedrich Ludwig Jahn, nisi të digjej nga zemërimi. Sipas Jahn-it, burrat prusianë kishin humbur sepse ishin fizikisht më të dobët se francezët.
Zgjidhja për vendin, sipas Jahn-it, nuk qëndronte te pushkët, por te muskujt. Kështu, në vitin 1811, ai hapi një Turnplatz, një palestër në ajër të hapur. Të rinjtë vraponin, kërcenin, ngjiteshin në litarë, bënin mundje dhe ushtrime kërcimi mbi pengesa. Ata përdornin edhe dy pajisje që besohet se i shpiku vetë Jahn-i: paralelet dhe hekurin horizontal. Së shpejti, kjo prirje u përhap në vende të tjera, ndërsa shkolla e parë e gjimnastikës në ajër të hapur në Angli u hap në vitin 1825.
Ideja themelore e sistemit Turnplatz të Jahn-it, se kombet e forta kishin nevojë për ushtarë fizikisht të fortë, u bë thirrje bashkuese për një valë sistemesh gjimnastike dhe ushtrimesh fizike për burra dhe gra gjatë gjithë shekullit.
Lindja e bodybuilding-ut

Një formë e njohur argëtimi në epokën viktoriane ishin shfaqjet e njerëzve të fortë, ku burra me muskuj të zhvilluar kryenin akte spektakolare force. Një nga interpretuesit më të njohur të kohës ishte Charles “Samson” Sampson, i cili këpuste zinxhirë me gjoksin e tij.
Por në vitin 1889, në skenë doli një lloj i ri njeriu të fortë. Gjatë një prej shfaqjeve të Sampson-it, një burrë me mustaqe, i quajtur Eugen Sandow, u zhvesh deri në të brendshme në një teatër të Londrës, duke iu përgjigjur sfidës së Sampson-it. Por ajo që e dallonte Sandow-n nga Sampson-i dhe njerëzit e tjerë të fortë të asaj kohe ishte trupi i tij. Ai ishte i dobët në përmasa, por me muskuj të formuar dhe të theksuar.
Nga viti 1889 deri në vdekjen e tij më 1925, Sandow u bë simbol i trupit ideal. Profesori i edukimit fizik në Universitetin e Harvardit, Dudley Sargent, e cilësoi atë si “shembullin më të mirë të burrërisë”. Sandow organizoi garën e parë të madhe të bodybuilding-ut në Londër në vitin 1901 dhe drejtoi një biznes shëndeti që u përhap në të gjithë Perandorinë Britanike, Amerikë dhe Australi e Zelandën e Re. Mijëra njerëz ndiqnin kurset e tij me porosi, lexonin revistën e tij dhe pinin kakaon që ai shiste.
Ata që ngrinin pesha dore dhe shtanga për të ndërtuar trupin si Sandow e quanin veten “kulturistë fizikë”, ashtu siç mund ta përkufizojnë sot veten ata që merren me Pilates, Hyrox ose stërvitje me pesha.
Pas Sandow-t dhe të tjerëve, njerëzit stërviteshin për shëndetin, por edhe për t’u bërë punonjës më të mirë, bashkëshortë më të mirë, më tërheqës ose më energjikë.
Edhe pse shteti vazhdonte të kishte rëndësi,Sandow madje stërviti trupat britanike për Luftën e Dytë Boer, theksi nisi të zhvendosej gradualisht drejt ndërtimit të trupit për hir të vetë trupit.
Bumi i gjimnastikës aerobike pas luftës
Qasja ndaj ushtrimeve fizike në periudhën pas luftës ndryshoi për shkak të një shqetësimi të ri shëndetësor: njerëzit po kalonin shumë kohë ulur. Ky shqetësim u përforcua nga një studim i vitit 1953, i botuar nga epidemiologu Jerry Morris, i cili zbuloi se shoferët e autobusëve në Londër vuanin më shpesh nga sëmundjet e zemrës sesa faturinot, të cilët kalonin ditën duke ngjitur shkallët. Shkaku? Mungesa e aktivitetit fizik.
Në SHBA, mjekët nisën të kundërshtonin rritjen e sëmundjeve të zemrës. Zgjidhja e tyre radikale ishte t’u këshillonin njerëzve të vraponin ngadalë për periudha të caktuara kohore, një aktivitet që sot e quajmë vrapim i lehtë. I përhapur fillimisht në Zelandën e Re dhe i sjellë në SHBA në vitet 1960, ky aktivitet shpejt nxiti një bum të gjimnastikës aerobike.
Zinxhirët e rinj të palestrave u mbushën me njerëz që më parë nuk ishin stërvitur, por tani vraponin dhe merrnin pjesë në klasat e gjimnastikës aerobike. Këto klasa ishin veçanërisht të njohura mes grave. Në vitin 1969, instruktorja e fituesit Jacki Sorenson krijoi lëvizjen e kërcimit aerobik, pasi nisi të krijonte rutina me muzikë pop, duke ndërthurur hapa nga kërcimi xhaz, folklorik, cha-cha dhe kërcimi tradicional amerikan squaredance.
Popullariteti i gjimnastikës aerobike vazhdoi të rritej gjatë viteve 1980, falë videos së ushtrimeve të aktores Jane Fonda, e cila u bë bestseller në vitin 1982 dhe e solli gjimnastikën aerobike në dhomat e ndenjjes së njerëzve.
Ndërtuesit e muskujve

Në vitin 1977, bota u njoh me bodybuilder-in austriak Arnold Schwarzenegger, përmes dokumentarit të suksesshëm Pumping Iron. I drejtpërdrejtë, por simpatik, muskuloz, por edhe i bukur, Schwarzenegger dhe sipërmarrësi që e promovonte, Joe Weider, e bënë bodybuilding-un të njohur në formën që e njohim sot.
Filmi Pumping Iron doli në kinema në një kohë kur gjimnastika aerobike kishte sjellë më shumë njerëz në palestra dhe pajisjet e reja e kishin bërë ngritjen e peshave shumë më të lehtë për t’u praktikuar.
Fiziku i Schwarzenegger-it u bë shpejt model për figurat heroike të kulturës pop. Yjet e filmave aksion, lodrat për fëmijë dhe sportistët, të gjithë u ndikuan nga bodybuilding-u. Edhe Sylvester Stallone, një nga yjet më të mëdhenj të viteve 1980, e transformoi trupin e tij me ndihmën e Franco Columbu-t, partnerit të stërvitjes së Schwarzenegger-it, në përgatitje për filmat Rambo dhe Rocky.
Edhe gratë ngrinin pesha. Lisa Lyon fitoi kampionatin e parë botëror të bodybuilding-ut për gra në vitin 1979. Dy dekada më vonë, ngritja e peshave nga gratë u përfshi në Lojërat Olimpike.
Deri në vitet 2000, ngritja e peshave nuk ishte më një aktivitet i kufizuar për një grup të vogël njerëzish. Palestrat me çmime të ulëta dhe ato që qëndronin hapur 24 orë ishin bërë të zakonshme, ndërsa sporte si Cross Fit dhe powerlifting-u po fitonin gjithnjë e më shumë ndjekës, si burra ashtu edhe gra. Vitet e fundit, hashtag-u #strongnotskinny është përhapur në Instagram dhe TikTok.
Shkencëtari i ushtrimeve fizike Andrew Scott thotë se ndikuesit në rrjetet sociale kanë luajtur një rol të madh në këtë ndryshim. Por asgjë nga këto nuk është e re. Sandow e shiste imazhin e trupit të tij në kartolina dhe kuti kakaoje, Fonda e shiste përmes videokasetave VHS, ndërsa Schwarzenegger e shiste në kinema.
Edhe një herë, bota përreth nesh po ndryshon mënyrën se si njerëzit e përdorin trupin e tyre. 200 vjet më parë, fitnesi i shërbente vendit. Sot, ai i shërben algoritmit. /The Conversation – Syri.net


