Kosova ka importuar gjithsej 47,078 tonë misër nga Serbia gjatë periudhës janar–shtator 2026, sipas të dhënave të importit.
Të dhënat doganore tregojnë se pjesa dërrmuese e kësaj sasie përbëhet nga misri i zakonshëm, me rreth 46,701 tonë, ndërsa 376.5 tonë janë misër për farë, përkatësisht hibride të thjeshta.
Importi i madh nga Serbia merr vëmendje të veçantë pas rastit të fundit të raportuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin, si dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të kufijve të lejuar të aflatoksinës B1, .
Asgjësimi është realizuar më 29 tetor 2026 në tri subjekte ekonomike. Në Fushë Kosovë, në kompaninë Agro Com Sh.P.K., janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër, në Thermo-1 Sh.P.K., në Prugoc të Prishtinës, 1,040 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi”, në Shtime, janë asgjësuar 1,250 kilogramë.
Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
AUV ka paralajmëruar se rreziku mund të bartet edhe në zinxhirin ushqimor, pasi toksina nga ushqimi i kontaminuar për kafshë mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht.
Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër që tejkalon kufijtë e lejuar të aflatoksinës.
Megjithatë, AUV nuk ka bërë të ditur se e gjithë sasia e importuar nga Serbia është e kontaminuar. Rasti i fundit ka të bëjë me 5.56 tonë misër, për të cilin analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të kufijve të lejuar.


