PROJEKTET E KULTURËS 2027: VAZHDOHET AFATI I APLIKIMIT DERI MË 6 NËNTOR

Ministria e Kulturës dhe Turizmit informon se afati për aplikim elektronik në Konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në fusha dhe veprimtari të veçanta të kulturës për vitin 2027 vazhdohet deri më 6 nëntor (e premte), në orën 15:30.

“I ftojmë të gjithë të interesuarit të aplikojnë brenda afatit të paraparë, ndërsa shfrytëzuesit edhe këtë vit do të mund të kërkojnë ndihmë profesionale lidhur me aplikimet në sektorët e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit”, thonë nga Ministria.

Aplikimi në Konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në fusha dhe veprimtari të veçanta të kulturës për vitin 2027 bëhet në mënyrë elektronike në Portalin nacional për e-shërbime.

Ndryshe Konkursi për Financimin e Projekteve Kulturore për vitin 2027 fillimisht ishte paraparë të përfundonte më 30 tetor.

Gjatë publikimit të Konkursit, Ministri Sedat Sulejmani, më 21 tetor potencoi se me këto konkurse do të mbështeten projektet që pasurojnë ofertën kulturore, krijojnë hapësirë për shprehje të reja kreative dhe kontribuojnë në promovimin ndërkombëtar të kulturës në Maqedoni.

Sulejmani paralajmëroi se përparësi do t’u jepet projekteve serioze, të konceptuara mirë dhe të qëndrueshme, të cilat kanë kapacitet të lënë gjurmë të përhershme, qoftë përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar apo zhvillimit të publikut të ri.

Ndërkohë tek kriteret e Konkursit spikat se ruhet pragu minimal prej 40 pikësh (nga gjithsej 100) për mbështetje financiare, si dhe kufizimet deri në katër projekte për personat juridikë dhe deri në dy projekte për personat fizikë, me qëllim që të nxitet cilësia dhe jo sasia.

Sistemi i pikëzimit është i unifikuar: deri në 70 pikë për cilësinë e përmbajtjes, deri në 15 pikë për burimet njerëzore dhe deri në 15 pikë për arsyeshmërinë financiare.