Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjet në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, mëson jozyrtarisht televizioni Sitel.
Dje, në këtë lagje u gjet trupi i pajetë i një gruaje 76-vjeçare, me shenja të dukshme dhune. Trupin e saj e zbuloi vajza, e cila menjëherë njoftoi policinë.
Sipas fqinjëve, gruaja jetonte e vetme prej tre vitesh, ndërsa herën e fundit ishte parë dy ditë më parë. Ata kanë deklaruar se gjatë natës nuk kishin dëgjuar apo vërejtur asgjë të pazakontë.
Kjo është vrasja e dytë në Gjorçe Petrov brenda pesë ditësh. Javën e kaluar, MPB-ja njoftoi se në shtëpinë e tij ishte gjetur i pajetë një burrë 62-vjeçar, gjithashtu me shenja dhune.
Deri më tani, motivet e mundshme të vrasjeve nuk janë bërë të ditura. Nga MPB-ja priten informacione zyrtare dhe detaje të tjera gjatë ditës së nesërme.


