Bekim Sali takon rektorin e ri të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Mehmet Bulut

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me rektorin e ri të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), Prof. Dr. Mehmet Bulut, të cilit i ka uruar sukses në ushtrimin e detyrës së re.

Në njoftimin e tij, Sali theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit të lartë, forcimit të bashkëpunimit akademik dhe krijimit të mundësive të reja për studentët.

“Biseduam për rëndësinë e zhvillimit të arsimit të lartë, forcimin e bashkëpunimit akademik dhe krijimin e mundësive të reja për studentët”, ka deklaruar Sali.

Ai shprehu besimin se mandati i ri i rektorit do të sjellë rezultate të reja për universitetin dhe do të kontribuojë në përgatitjen e gjeneratave të reja për sfidat e së ardhmes.