Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali fton organizatat e shoqërisë civile dhe mediat jofitimprurëse të aplikojnë për grante deri në 20 mijë euro

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka bërë thirrje për aplikim në Skemën Rajonale të Granteve të Vogla, e cila synon të mbështesë organizatat e shoqërisë civile dhe mediat jofitimprurëse në Maqedoninë e Veriut.

Thirrja zhvillohet në kuadër të projektit #CredibleMedia4StrongSocieties, të financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të avancimit të lirisë së shprehjes, forcimit të lirisë së medias dhe promovimit të gazetarisë profesionale.

Përmes kësaj skeme, organizatat përfituese mund të sigurojnë grante në vlerë prej 10.000 deri në 20.000 euro për projekt, ndërsa fondi i përgjithshëm rajonal arrin në 450.000 euro.

Projektet mund të zgjasin deri në 10 muaj dhe nuk kërkohet bashkëfinancim. Të drejtë aplikimi kanë organizatat e regjistruara jofitimprurëse që kanë përvojë në fushën e lirisë së shprehjes dhe/ose avokimit. Mbështetja parashihet për fushata të ndërgjegjësimit publik, hulumtime dhe rekomandime për politika publike, krijimin e përmbajtjeve mediatike, si dhe organizimin e konsultimeve, tryezave të rrumbullakëta dhe dialogut me institucionet dhe aktorët lokalë.

Afati i fundit për aplikim është 6 nëntor 2026, deri në orën 24:00.

Organizatat e interesuara mund të marrin informacione shtesë përmes adresës elektronike [email protected], ndërsa thirrja e plotë dhe dokumentet e aplikimit janë të publikuara në faqen zyrtare të organizatës SCOOP:

https://scoop.mk/повик-за-доделување-на-грантови-за-нев/