Biznesmeni Behgjet Pacolli nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se për çfarë ka qëndruar për 7 orë në SPAK.
“Deshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK!
Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.
Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore.
Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen”, shkruan Pacolli.


