Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, përshëndeti fitoren e shpallur të listës studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke e cilësuar atë si historike, ndërsa njëkohësisht dërgoi mesazh për zhvillimet politike në Maqedoni.
“Urime qytetarëve të Serbisë për fitoren e madhe historike! Ashtu siç paralajmëruam, pason çlirimi nga strukturat kriminale të pushtetit. Ra Orbani. Ra Vuçiqi. Të gjithë e dimë se kush është i radhës”, shkroi Filipçe në një postim në rrjetet sociale.
Me këtë mesazh, lideri i LSDM-së i lidhi ndryshimet politike në Hungari dhe zhvillimet zgjedhore në Serbi me situatën në Maqedoni, duke aluduar për mundësinë e ndryshimit të pushtetit edhe në vend.
Filipçe shprehu pritshmërinë që Serbia dhe Maqedonia të vazhdojnë t’i zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe.
“Pres që Serbia dhe Maqedonia të ndërtojnë marrëdhëniet më të mira të mundshme, të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin”, deklaroi ai.
Më tej, ai iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë, duke paralajmëruar një betejë politike kundër pushtetit aktual.
“Qytetarëve të Maqedonisë u them se na pret një betejë aspak e lehtë, sepse po luftojmë kundër pjesës së mbetur të kësaj bande kriminale ballkanike”, shkroi Filipçe.
Reagimi i tij vjen pas pranimit të humbjes zgjedhore nga Aleksandar Vuçiqi dhe publikimit të vlerësimeve paraprake, sipas të cilave lista studentore siguron shumicën parlamentare.


