Pritjes për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” po i vjen fundi. Përmes një videoje të shkurtër promovuese të publikuar në faqen zyrtare të spektaklit në Instagram, moderatori Alaudin Hamiti ka zbuluar se reality show do të nisë më 30 tetor.
Në promo, Hamiti paralajmëron një sezon që pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme, duke u shprehur: “Këtë sezon nuk ka ku të fshihen”. Deklarata nxit kureshtje, pasi mund të jetë një sinjal për një mbikëqyrje më të avancuar të banorëve, më shumë kamera apo risi të tjera në mënyrën se si do të zhvillohet loja. Megjithatë, deri tani nuk janë dhënë detaje konkrete që të konfirmojnë se çfarë do të ndryshojë në shtëpi.
Hamiti paralajmëron gjithashtu se “viti i ndryshimeve të mëdha po vjen”, duke lënë të hapur mundësinë për një format ndryshe nga edicionet e mëparshme.
Alaudin Hamiti rikthehet në drejtimin e spektaklit pasi ka qenë moderator në katër sezonet e para. Këtë herë, megjithatë, pritet të ketë ndryshime në skuadrën televizive, pas largimit të Jonida Vokshit, e cila e shoqëroi në moderim gjatë edicioneve të mëparshme.
Sa i përket emrave të tjerë që do të jenë pjesë e sezonit të ri, ende nuk ka një listë të konfirmuar zyrtarisht nga produksioni. Sipas raportimeve të portaleve, Alaudin Hamiti pritet ta drejtojë spektaklin i vetëm, ndërsa në panelin e opinionistëve përmenden Rudina Dembacaj dhe Resul Sinani.
Po sipas këtyre raportimeve, Akil Varfi dhe Jona Krasniqi janë ndër emrat që mund t’i bashkohen shtëpisë, ndërsa Loredana Brati përmendet si moderatore e emisionit shoqërues “Big Talk”, me Sara Kolamin dhe Vlorjan Halilin në panel. Këto informacione mbeten të pakonfirmuara nga produksioni.


