Pas katër vjetësh, nafta ruse niset drejt SHBA-së

Ngarkesa e parë me naftë ruse drejt Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022 po transportohet me një cisternë drejt New Yorkut, pas një marrëveshjeje mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin. Lëvizja e anijes është konfirmuar nga të dhënat e transportit detar të publikuara të premten, raporton Reuters.

Trumpi e njoftoi marrëveshjen këtë muaj, në kuadër të përpjekjeve për uljen e çmimeve të larta të naftës përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat mbahen më 3 nëntor.

Në kuadër të marrëveshjes, Trumpi pezulloi zbatimin e disa dispozitave të një ligji të ri amerikan për sanksionet ndaj Rusisë. Ai gjithashtu kërcënoi vendet evropiane me kufizimin e eksporteve amerikane të naftës, nëse ato nuk nxjerrin në treg më shumë karburant nga rezervat e tyre emergjente, me synimin për të ulur çmimet.

Sipas të dhënave të kompanisë LSEG, cisterna Agioi Fanendes, e cila lundron nën flamurin e Maltës, u ngarkua me 40 mijë tonë naftë me përmbajtje shumë të ulët të squfurit në portin rus të Primorskut, në Detin Baltik, më 22 tetor. Anija pritet të mbërrijë në SHBA më 7 nëntor.

Ende nuk dihet se kush janë blerësi dhe shitësi i ngarkesës. Kjo do të ishte dërgesa e parë e këtij lloji që mbërrin në tregun amerikan që nga viti 2022, kur ish-presidenti Joe Biden ndaloi importet e naftës dhe produkteve të naftës nga Rusia.

Më 9 tetor, Trumpi deklaroi se Rusia do të eksportonte menjëherë 300 mijë tonë naftë dizel, apo rreth 2.25 milionë fuçi, drejt SHBA-së dhe tregjeve ndërkombëtare. Sipas tij, në nëntor do të dërgoheshin edhe 500 mijë tonë, ndërsa një milion tonë të tjerë do të pasonin më vonë.

Që nga shkurti i vitit 2023, kur Bashkimi Evropian vendosi embargo ndaj importeve ruse të produkteve të naftës, në përgjigje të luftës në Ukrainë, Rusia i ka orientuar eksportet kryesisht drejt Turqisë, Brazilit dhe vendeve afrikane. Ajo furnizon gjithashtu vendet e Azisë Qendrore përmes transportit hekurudhor.