Melania Trump siguron armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës në qytetin e pushtuar Oleshky

Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka siguruar një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës në qytetin Oleshky, të kontrolluar nga forcat ruse, i cili do të nisë më 29 tetor, ka bërë të ditur të premten Shtëpia e Bardhë.

Banorët e qytetit në jug të Ukrainës, i cili është i pushtuar nga forcat ruse që nga shkurti i vitit 2022, kanë raportuar për thellim të krizës ushqimore.

“Të dyja palët kanë rënë dakord që të ndalojnë përkohësisht të gjitha veprimet ushtarake në Oleshky, për të mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe për të përgatitur evakuimin e civilëve përmes një korridori të caktuar të sigurt”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Ky zhvillim vjen në kohën kur bashkëshorti i Melania Trump, presidenti Donald Trump, po ushtron presion ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të arrijë një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës që nisi në shkurt të vitit 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Melania Trump ka qenë aktive në përpjekjet për kthimin te familjet e tyre të fëmijëve ukrainas që janë marrë nga Rusia gjatë luftës.

“Situata në Oleshky është e rëndë. Oleshky është një qytet në vijën e frontit, në prag të katastrofës. Popullsia e mbetur në Oleshky përbëhet kryesisht nga banorë të moshuar, të cilët kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, ilaçe, ushqim dhe ujë të pastër”, ka deklaruar Melania Trump.

Sipas saj, armëpushimi do t’u mundësojë ekipeve joushtarake nga të dyja vendet që të vizitojnë banorët në shtëpitë e tyre dhe të koordinojnë transportin për ata që dëshirojnë të evakuohen drejt Rusisë ose Ukrainës.

Një organizatë mediatike amerikane, emri i së cilës nuk është bërë i ditur në deklaratë, do t’i shoqërojë ekipet për të dokumentuar procesin.

Ndërkohë, media amerikane Newsmax, e njohur për qëndrimet e saj të orientuara nga e djathta, ka raportuar se kamerat e saj do të kenë “qasje ekskluzive për të dokumentuar këtë përpjekje”.