Shërbimi i Mjekësisë Urgjente pranë IPSH Shtëpia e Shëndetit – Shkup do të pajiset me autoambulanca të reja, në kuadër të projektit shtetëror për modernizimin e shëndetësisë publike.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Samir Iseni, ka bërë të ditur se automjetet e reja po shtohen me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se ky investim synon përmirësimin e shërbimeve emergjente.
“Me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, shërbimit të Mjekësisë Urgjente pranë IPSH Shtëpia e Shëndetit – Shkup po i shtohen automjete të reja të autoambulancës, si pjesë e projektit shtetëror për modernizimin e shëndetësisë publike”, ka deklaruar Iseni.
Sipas tij, pajisja me automjete të reja do të mundësojë reagim më të shpejtë në terren dhe uljen e kohës së pritjes për thirrjet emergjente. Njëkohësisht, pritet të krijohen kushte më të mira pune për ekipet mjekësore, të cilat do të kenë në dispozicion pajisje bashkëkohore.
Iseni ka theksuar se qëllimi është ofrimi i shërbimeve më efikase dhe më të sigurta për qytetarët e Shkupit, duke falënderuar Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për investimin.
Ai ka shtuar se institucioni mbetet i përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore.


