Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dënoi retorikën kundër myslimanëve dhe diskriminimin ndaj tyre gjatë një fjalimi në Qendrën e Adhurimit Koinonia në Florida. Ai tregoi se vajza e tij, Chelsea Clinton, e kishte lexuar Kuranin kur ishte adoleshente dhe i kishte treguar për një pjesë. Sipas tij, mesazhi i Kuranit është se popuj të ndryshëm janë vendosur në Tokë për t’u njohur dhe për të mësuar nga njëri-tjetri, e jo për ta nënçmuar njëri-tjetrin.
“Jam i lodhur nga njerëzit që i nënçmojnë myslimanët, vetëm pse janë myslimanë. Kurani thotë…dhe këtë e kam dëgjuar për herë të parë nga vajza ime, e cila e lexoi Kuranin nga fillimi deri në fund, kur ishte 15 vjeçe. Dhe ajo më tha, babi, lexoje këtë: Allahu vendosi njerëz të ndryshëm në botë jo për të urryer njëri-tjetrin, por që të njohin njëri-tjetrin dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Ka aktorë të mirë në secilën fe sepse jemi qenie njerëzore me të meta, por luftërat religjioze, luftërat kulturore…jam i lodhur. Por ka një dallim të madh mes të qenit i lodhur dhe të dorëzuarit”, tha Clinton.


