Ish-Presidenti, Bamir Topi: Nuk dua t’i shoh studentët të vetmuar, duhet të dalë e gjithë shoqëria

Ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi foli në emisionin Minuta e Parë në News24 në lidhje me kërcënimet e kryeministrit Edi Rama për personat që marrin pjesë në protesta, ndërsa bëri një apel për të gjithë shoqërinë që të mos i lërë studentët vetëm në iniciativën e tyre të revoltës kundër qeverisë.

I pyetur në lidhje me kërcënimet si mos lejimi i protestuesve për të hipur në tren, Topi u shpreh se kjo tregon se kreu i qeverisë është në fazë haluçinacioni.

Ai theksoi se me trenat, Rama i referohet plagës më të madhe të Shqipërisë, të çmontimit të infrastrukturës.

Topi rikujtoi se Shqipëria ka pasur dikur linja hekurudhore, por referimin ndaj tyre në vitin 2026 e konsideroi thjesht si haluçinacion.

Pjesë nga biseda në studio:

Bamir Topi: Nuk dua t’i shoh këta studentë të vetmuar dhe të demoralizuar, dua t’i shoh me shumë njerëz, duhet të dalë e gjithë shoqëria. Të mos jenë njerëzit pragmatistë që i ka marrë ai diku dhe i ka futur në administratë.

Bruko: Foli për trena që nuk kemi…*

Bamir Topi: Tregon që është në fazë haluçinacioni. I referohet plagës më të madhe të Shqipërisë, të çmontimit të infrastrukturës. A ka patur trena ky vend? Po, ka patur, shkonte në Vlorë, Pogradec, Mirditë, në Shkodër. Në 2026 t’i referohesh trenit është haluçinacion. Ka njerëz që janë kurajozë, ka që frikësohen, ka indiferentë. Mesazhin s’e kam për frikacakun sepse lind dhe vdes i tillë, por e kam për indiferentët që kanë arritur një status falë bashkëpunimit okult si patronazhist, pa CV shkojnë në krye të institucioneve, njerëz të urryer. Këta edhe në kohë krizash nuk reflektojnë, kjo është dramë e madhe për ata.