Shkëndija lidh me kontrata profesionale dy talentet e shkollës së klubit

Mesfushori Lirian Xheladini dhe mbrojtësi i majtë Anes Abdurahmani nënshkruajnë kontratat e tyre profesionale me kuqezinjtë, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre.

KF Shkëndija vazhdon të investojë në talentet e shkollës së saj të futbollit. Mesfushori Lirian Xheladini dhe mbrojtësi i majtë Anes Abdurahmani janë lidhur me ekipin e parë përmes kontratave profesionale, pas vlerësimit pozitiv të zhvillimit dhe potencialit të tyre nga kryesia dhe departamenti sportiv i klubit.

Lirian Xheladini, i cili pasnesër mbush 19 vjeç, ka firmosur kontratë dyvjeçare me Shkëndijën. Mesfushori debutoi në ndeshje zyrtare me ekipin e parë gjatë sezonit të kaluar dhe është aktivizuar edhe në kampanjën aktuale.

“Jam shumë i lumtur për këtë hap dhe mirënjohës për besimin e klubit. Kontrata është motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim, për t’u përmirësuar çdo ditë dhe për të dhënë maksimumin për fanellën kuqezi”, shprehet Xheladini.

Ndërkohë, mbrojtësi i majtë Anes Abdurahmani, 18 vjeç, është një nga emrat e rinj që kanë spikatur këtë sezon. Ai debutoi në fitoren 4:1 ndaj Bregallnicës dhe deri tani ka regjistruar pesë paraqitje me ekipin e parë. Abdurahmani ka nënshkruar kontratë 3,5 vjeçare, duke u konsideruar një nga shpresat e klubit për të ardhmen.

“Këto kontrata janë motiv shtesë për ne që jemi rritur në shkollën e Shkëndijës. Do të vazhdojmë të punojmë fort, të përparojmë si futbollistë dhe ta shpërblejmë besimin e klubit me paraqitje sa më të mira”, shprehet Abdurahmani.

Drejtori sportiv i Shkëndijës, Erhan Selimi, e vlerëson këtë hap si dëshmi të përkushtimit të klubit për zhvillimin e talenteve të veta.

“Jemi të lumtur që formalizojmë kontratat profesionale me dy futbollistë të rinj, të cilët e kanë dëshmuar potencialin e tyre. Shpresojmë që ky hap të jetë motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të avancuar drejt ekipit të parë edhe më shumë talente nga shkolla jonë e futbollit”, shprehet Selimi.

Me këto dy kontrata, Shkëndija konfirmon rëndësinë që i kushton zhvillimit të futbollistëve të rinj dhe krijimit të rrugëve konkrete për promovimin e tyre drejt ekipit të parë.