Londra kundërshton Witkoff, e cilësoi Putinin si “njeri humanitar”

Qeveria britanike reagoi sot ndaj deklaratave të të dërguarit kryesor të presidentit amerikan, Donald Trump për negociatat mbi luftën në Ukrainë, Steve Witkoff, i cili e përshkroi presidentin rus Vladimir Putin si një “njeri humanitar”.

Witkoff, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, i bëri këto deklarata gjatë takimit me udhëheqësin rus këtë javë.

Sekretari britanik për Skocinë, Douglas Alexander tha se qeveria britanike ka një qëndrim krejt të kundërt me atë të Witkoff.

I pyetur nga radioja LBC, nëse Britania e Madhe pajtohej me përshkrimin që Witkoff i bëri Putinit, Alexander u përgjigj: “Jo, nuk pajtohemi”.

“Ne e shohim atë si njeriun që pushtoi në mënyrë të paligjshme Ukrainën, në fillim të këtij konflikti. Qeveria e tij është gjithashtu përgjegjëse për veprime që përfshijnë edhe përpjekje për vrasjen e personave në territorin britanik”, tha Alexander.

“Prandaj, ne nuk e pranojmë aspak përshkrimin e Vladimir Putinit si një njeri humanitar”, tha ai.

“Përkundrazi, ne e bëjmë plotësisht të qartë se qëndrojmë pa rezerva në mbështetje të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe popullit të Ukrainës në luftën e tyre për liri”, shtoi Alexander.

Pas takimit të Witkoff me presidentin rus, Moska ra dakord në parim që të rifillojnë bisedimet e paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.

Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë ndoshta, më pranë se kurrë më parë, arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, pavarësisht gatishmërisë së shprehur për negociata, Rusia ka vazhduar të kryejë sulme me raketa ndaj Kievit.

Dje në mbrëmje, kryeministri britanik Andy Burnham zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb.

Biseda u zhvillua pas takimit mes Zelenskyt dhe Witkoff në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë.

Ajo shtoi se të dy udhëheqësit ranë dakord se çdo marrëveshje paqeje, duhet të përfshijë garanci sigurie për Ukrainën, si dhe të sigurojë që lufta të mos rikthehet në kontinentin evropian.