Pema e Vitit të Ri, e lartë 13 metra, edhe këtë vit do të vendoset në sheshin e qytetit në Shkup, së bashku me disa figura të tjera ndriçuese, të cilat nga 15 dhjetori pritet të sjellin atmosferë festive në kryeqytet.
Qyteti i Shkupit sot publikoi thirrjen publike për përzgjedhjen e kompanisë që do të zbukurojë qytetin. Të gjithë operatorët e interesuar mund të aplikojnë deri më 5 nëntor, kur është paraparë edhe hapja publike e ofertave.
Këtë vit, Qyteti e publikoi thirrjen një muaj më herët se vitin e kaluar, pra në kohë. Për këtë arsye, pritet që kompania e përzgjedhur t’i respektojë afatet, sipas të cilave zbukurimi i lokacioneve të parapara duhet të përfundojë deri më 15 dhjetor, ndërsa heqja e dekorimeve të bëhet nga 15 deri më 25 janar 2027.
Për ndriçimin festiv të Shkupit, nga buxheti i qytetit do të ndahen rreth 3,8 milionë denarë, përkatësisht 4,5 milionë denarë me TVSH, ose rreth 73 mijë euro.
Sipas të dhënave të përfshira në specifikimin teknik, në shesh duhet të vendoset një bredh i llojit “Nordika”, që do të jetë kopje besnike e një bredhi natyror. Këtë vit nuk do të vendoset ariu tredimensional, por në vend të tij do të ketë një figurë dekorative ndriçuese në formë dreri, rreth katër metra e lartë. Siç thuhet në specifikim, ajo do të ketë konstruksion alumini, element dekorativ prej kallami sheqeri në brirë, ndriçim LED me ngjyrë të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë, si dhe efekte dinamike të dritës.
Përveç kësaj, kompania e përzgjedhur do të duhet të vendosë edhe një figurë ndriçuese në formë dhurate, mbi gjashtë metra të lartë, dy portale 2D dhe një slitë 3D me dhurata, ku qytetarët do të mund të hyjnë për t’u fotografuar. Slita do të jetë rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë.
Gjithashtu, do të vendosen dy balona 3D, secili nga 3,5 metra i lartë, Babagjyshi, rreth njëqind buqeta me ndriçim LED, si dhe një kurorë e gjelbër festive me shkëlqim, ku qytetarët do të mund të fotografohen. Shkupi do të ndriçohet edhe me drita dekorative në shtyllat e ndriçimit publik dhe me varëse ndriçuese në formë akulli.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur në tender ishin përcaktuar saktësisht lokacionet që do të zbukuroheshin, këtë herë ato nuk janë përfshirë në thirrjen publike. Në vend të kësaj, thuhet se lokacionet do të përcaktohen në urdhrin e punës që do t’i jepet kompanisë së përzgjedhur.
Ende nuk dihet nëse në listë do të përfshihet edhe rruga “Maqedonia”, e cila vitin e kaluar për herë të parë nuk u ndriçua për festat e fundvitit, si dhe bulevardet më të mëdha, si “Aradhet Partizane” dhe “Ilinden”, apo vetëm pjesa deri te Katedralja, siç ndodhi vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, Shkupin e zbukuroi kompania “Link Media Plus”. Vlera e kontratës ishte 3.620.000 denarë pa TVSH, përkatësisht 4.271.600 denarë me TVSH, që është rreth 70 mijë euro, pothuajse e njëjta shumë që do të shpenzohet edhe këtë vit.


