Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mirëpriti miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë, me seli në lindje të vendit, të marrëveshjes për juridiksionin detar mes Turqisë dhe Libisë, raporton Anadolu.
“Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë miratoi Memorandumin e Mirëkuptimit për Përcaktimin e Zonave të Juridiksionit Detar mes Turqisë dhe Libisë. Shpresoj që ky vendim i rëndësishëm të jetë i dobishëm”, tha Erdogan në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në kryeqytetin Ankara.
Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë miratoi njëzëri memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2019 mes Turqisë dhe qeverisë së atëhershme libiane të Pajtimit Kombëtar, për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar në Mesdhe.
Parlamenti me seli në lindje të Libisë shfuqizoi një rezolutë të vitit 2020, e cila kundërshtonte ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Turqinë, duke përmbysur qëndrimin e tij të mëparshëm kundër marrëveshjes detare.
Turqia dhe Libia nënshkruan memorandumin në nëntor të vitit 2019 për të përcaktuar kufijtë e zonave përkatëse të juridiksionit të tyre detar në Mesdhe. Erdogan foli për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, duke thënë se marrëveshja e mbrojtjes së përbashkët u është dorëzuar deputetëve turq për ratifikim.
“Ia kemi dorëzuar parlamentit tonë për ratifikim marrëveshjen e mbrojtjes së përbashkët që nënshkruam me Pakistanin dhe Arabinë Saudite”, tha ai.


