Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi dhe kryeshefin për Arsim në këtë komunë, Agim Hasani, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM), njofton se Rexhepi dhe Hasani shprehën mbështetjen për përkushtimin e kryeministrit Kurti për përbashkimin e subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në “Koalicionin Shqiptar”, i cili garon me numrin 17 në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Sipas ZKM-së, Qeveria e Kosovës do të qëndrojë në përkrahje të secilit shqiptar dhe secilës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Përfaqësimi i fuqishëm dhe dinjitoz kërkon përgjegjësi ndaj interesit të përbashkët, bashkërendim dhe qëndrueshmëri në mbrojtjen e të drejtave. Barazia, arsimi në gjuhën shqipe dhe mundësia për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje mbeten në themel të këtij angazhimi”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 1.8 milion euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), i cili përfaqëson shqiptarët në Serbi, përfshirë qytetarët shqiptarë në tri komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
KKSH-ja është institucioni përmes të cilit menaxhohen mjetet si dhe raportet e tij me partitë politike lokale.
Në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të njohura me një emër si Lugina e Preshevës, jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022.


