Komisioni Evropian nis hetimin ndaj Booking.com mbi mashtrimet dhe rreziqe të tjera

Komisioni Evropian sot hapi procedura zyrtare kundër Booking.com për të hetuar nëse platforma e udhëtimit online shkeli Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA) të Bashkimit Evropian duke mos adresuar në mënyrë adekuate listat mashtruese, mashtrimet e ‘phishing’-ut dhe transparencën e reklamave, transmeton Anadolu.

Hetimi do të vlerësojë nëse Booking.com identifikoi dhe zbuti siç duhet rreziqet që lidhen me listat e rreme të akomodimit, përfshirë pronat joekzistente, mashtrimin e imitimit dhe ofertat jo në përputhje me rregulloret, sipas një deklarate.

Ekzekutivi i BE-së do të shqyrtojë nëse platforma mori masa të mjaftueshme për të parandaluar shfaqjen e listave mashtruese në shërbimin e saj dhe për të mbrojtur konsumatorët nga mashtrimet e mundshme. Një fokus i dytë i hetimit do të jenë sulmet e ‘phishing’-ut që synojnë përdoruesit e Booking.com përmes të dhënave të rezervimit dhe të mysafirëve.

Blloku do të hetojë nëse platforma trajtoi në mënyrë adekuate rreziqet që rrjedhin nga ndarja e informacionit të rezervimit me ofruesit e akomodimit si dhe projektimin dhe funksionimin e shërbimit të saj të mesazheve. Gjithashtu do të shqyrtojë nëse ekzistojnë masa të mjaftueshme mbrojtëse për të parandaluar keqpërdorimin e të dhënave personale për të dërguar mesazhe ‘phishing’ dhe për të kërkuar pagesa mashtruese.

Komisioni tha se do të kryejë hetim të thelluar si çështje prioritare, duke mbledhur prova të mëtejshme përmes kërkesave për informacion, intervistave dhe inspektimeve. Ai mund të vendosë masa të përkohshme, të miratojë vendime për mosrespektim ose të pranojë angazhime nga Booking.com për të adresuar shqetësimet nën hetim.