​Driton Kuka kërkon themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka kërkuar themelimin e Këshillit Kombëtar të Sportit, me qëllim që të përcaktohen prioritetet dhe të hartohet një strategji e qartë për zhvillimin e sportit në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kuka ka ngritur shqetësimin për mungesën e rezultateve në sportin kosovar, duke vlerësuar se kjo po krijon situata shqetësuese për gjeneratat e reja në disiplina të ndryshme sportive.

Ai ka kritikuar edhe praktikën e natyralizimit të sportistëve, duke përmendur se po natyralizohen edhe fëmijë dhe se kjo, sipas tij, nuk duhet të shndërrohet në strategji të Ministrisë së Rinisë dhe Sportit apo të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Kuka ka theksuar se natyralizimet mund të jenë të arsyeshme në raste të caktuara, por vetëm nëse bëhen mbi kritere të qarta dhe kur sportistët paraqesin përforcim të nivelit të një ekipi.

Trajneri i xhudos ka përmendur sukseset e sportistëve kosovarë si dëshmi se vendi ka potencial për të prodhuar kampionë edhe përmes zhvillimit të talenteve vendore.

Ai ka veçuar Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Donjeta Sadikun dhe Akil Gjakovën, duke theksuar se sportistët kosovarë kanë dëshmuar se mund të arrijnë rezultate të mëdha në arenën ndërkombëtare.

“Koha të kemi Keshillin Kombëtar të Sportit e të shohim çka është prioritet dhe të kemi steategji të qartë!

Kosova din dhe mundet të ndërtoj medalje të Arta Evropiane Botërore e Olimpike!”, ka shkruar ai.

Në fund të postimit, Kuka ka rikujtuar edhe tri medaljet e arta olimpike të Kosovës, të fituara nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, duke theksuar se ato janë rezultat i punës me sportistet e lindura dhe të rritura në Kosovë.