Përfundojnë punimet për asfaltimin e shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta në njërën anë të rrugës “Ferid Murad”

Komuna e Çairit njofton se kanë përfunduar punimet për asfaltimin e shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta në njërën anë të rrugës “Ferid Murad”, duke shënuar një tjetër fazë të rëndësishme në realizimin e projektit për rikonstruimin e kësaj arterie rrugore.

Pas asfaltimit të pjesës më të madhe të rrugës, përfundimi i këtyre shtigjeve kontribuon në përmirësimin e sigurisë dhe funksionalitetit të infrastrukturës, duke krijuar kushte më të përshtatshme për lëvizjen e përditshme të këmbësorëve dhe çiklistëve.

Punimet do të vijojnë edhe në anën tjetër të rrugës, përkatësisht në segmentin pranë ngrohtores, në përputhje me dinamikën e realizimit të projektit.

Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit të infrastrukturës rrugore, përmirësimit të mobilitetit urban dhe krijimit të hapësirave publike më të sigurta, më funksionale dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët.