El Clasico do të transmetohet me deri në 40 kamera, vëmendja te Yamal dhe Mbappe

“El Clasico” mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të zhvillohet të dielën e ardhshme, pritet të transmetohet me një prodhim televiziv të jashtëzakonshëm, me deri në 40 kamera të vendosura në stadiumin “Camp Nou”.

Sipas mediumit spanjoll “Mundo Deportivo”, La Liga po përgatit një mbulim të veçantë për ndeshjen më të madhe të futbollit spanjoll, e cila ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.

Ndryshe nga ndeshjet e zakonshme, ku numri minimal i kamerave është rreth 22, për El Clasicon dhe derbit madrilen parashikohet një konfigurim special, me 35 deri në 40 kamera.

Përveç kamerave standarde, në dispozicion do të jenë edhe kamera me lente speciale dhe kamera kinematografike, ndërsa transmetimi do të realizohet në formatin 4K, për të ofruar cilësi më të lartë të pamjeve.

Një nga elementet më interesante të këtij produksioni pritet të jetë ndjekja më e detajuar e yjeve të dy skuadrave, veçanërisht Lamine Yamalit dhe Kylian Mbappes.

Kamerat speciale mundësojnë përcjelljen e lëvizjeve të futbollistëve dhe kapjen e detajeve që mund të mos shfaqen në transmetimet e zakonshme.

Sipas mediumit spanjoll, plani i kamerave është i koordinuar edhe me Komitetin Teknik të Gjyqtarëve dhe sistemin VAR, në mënyrë që të ketë mbulim sa më të plotë të aksioneve në fushë.

Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit do të zhvillohet të dielën në “Camp Nou”, në një tjetër kapitull të rivalitetit më të madh të futbollit spanjoll.