Dejan Kulusevski është rikthyer të luajë për Tottenhamin pas 526 ditësh mungesë për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Mesfushori suedez u prit me duartrokitje të jashtëzakonshme nga tifozët në “Tottenham Hotspur Stadium”, gjatë fitores 3-1 ndaj Coventry-t në Premier League.
Futbollisti 26-vjeçar u aktivizua në minutën e 87-të, duke zëvendësuar Omar Marmoush. Sapo u ngrit nga stoli për të hyrë në fushë, mijëra tifozë shpërthyen në brohoritje, duke i dhuruar një pritje emocionuese pas një periudhe tepër të vështirë.
Paraqitja e fundit e Kulusevskit për londinezët kishte qenë më 11 maj 2025, në ndeshjen kundër Crystal Palace. Gjatë asaj sfide, suedezi pësoi një dëmtim kompleks në gju, i shoqëruar edhe me dëmtime të kërcit.
Ai iu nënshtrua fillimisht një ndërhyrjeje kirurgjikale, por gjatë dimrit iu desh të kryente edhe një procedurë të dytë për të trajtuar komplikacionet që u shfaqën gjatë shërimit. Kjo e detyroi të kalonte një periudhë të gjatë rehabilitimi, duke humbur të gjithë sezonin e kaluar.
Rikthimi i tij erdhi në një mbrëmje të veçantë për Tottenhamin, që regjistroi fitoren e parë në këtë edicion të Premier League. James Maddison zhbllokoi rezultatin në minutën e 14-të me një goditje të bukur, por Jack Rudoni barazoi në fillimin e pjesës së dytë.

Omar Marmoush riktheu avantazhin për vendasit pak para se të mbushej një orë lojë, ndërsa Ben Davies vulosi fitoren 3-1 në minutat shtesë.
Trajneri Roberto De Zerbi shpreson që rikthimi i Kulusevskit t’i japë një shtysë të rëndësishme skuadrës. Suedezi ishte një nga lojtarët më krijues të Tottenhamit përpara dëmtimit, duke kontribuar me 22 gola dhe asiste së bashku në sezonet 2023-2024 dhe 2024-2025 në kampionat.
Përpara ndeshjes, De Zerbi konfirmoi se stafi mjekësor kishte dhënë dritën jeshile për rikthimin e tij në listën e lojtarëve të gatshëm.
“Stafi mjekësor dha miratimin. Ai ka vuajtur shumë. Ia thashë lajmin dhe në fytyrën e tij u shfaq një buzëqeshje e madhe”, deklaroi trajneri italian.
Pas më shumë se një viti e katër muajsh larg fushave, Kulusevski ka hedhur më në fund pas krahëve një periudhë të gjatë vuajtjesh. Tashmë, synimi i tij është të rikthejë gradualisht formën dhe të bëhet sërish një element vendimtar për Tottenhamin.


