Kryeministri Rama ndodhet në Ministrinë e Arsimit, ku po zhvillon një takim me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës. Në fjalën e tij, kryeministri mes të tjerash u shpreh:
“Faleminderit për praninë në këtë institucion që është bërë objekt i sulmit dhe një agresioni të vërtetë me gurët e shkulur nga trotuarët e rrugës së Durrësit dhe është vendosur në qendër të vëmendjes për të kamufluar çka është në burimin e helmuar të protestës. Për të krijuar idenë se kjo është protestëpër arsimin, e studentëve dhe për të justifikuar gjithë këtë valë dhunë që nuk ka të bëjë as më nxënësit, as studentët, por me një grup njerëzish që ka nga të gjithë. Natyrisht në atë grup që mban në terror qytetin ka edhe studentë, të agresuar, që i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik. Qytetarët dhe studentët që ushtrojnë të drejtën e protestës nuk do të jenë asnjëherë problemi, është një liri e pamohueshme nga askënd. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës.
E kam marrë sërish këtë gur në dorë, sepse kur e mban në dorë dhe kur imagjinon peshën e tij kur shkon drejt trupave të policisë është një armë që shkakton edhe tragjedi. Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie dhe ai që ndan ku mbaron e drejta e protestës dhe marrjen në mbrojtje të vendit. Një grup vajzash dhe djemsh të rinj janë kontingjent i forcave që kanë penetruar Europën dhe po shfaqen me zjarr e me hekur në shumë qytete e kryeqytete të Europë. Këtu është më e komplikuar, sepse duart që janë futur që në qershor me protestën, janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një hapësirë të krijuar për të frenuar ecurinë e përparimit tonë, për ta frenuar procesin e negociatave me BE.
Kur kam parë dje pamje e nxënësve që vandalizonin librin e Gjergj Fishtës nuk kam hasur asnjë ndjesi tjetër përveç shqetësimit të madh që shkon përtej faktit se një grusht adoleshentësh po dhunonin një simbol aq kuptimplotë të kulturës dhe historisë së vendit tonë. Kjo do të thotë se sipas meje, ata nuk e dinë kush është Fishta. Është momenti që të gjithë ne të reflektojmë në këtë padije dramatike. Jemi në një front të përbashkët për të kompensuar mesazhet që fëmijët marrin nga Tik-Tok, ku ata mendojnë se shënjestrojnë, por ata algoritmi i shënjestron njësoj si rrjetet e drogës që përzgjedhin dhe i çojnë te varësia që i ndan nga realiteti. Lavdi Zotit pjesa më e madhe e nxënësve është e shëndoshë, por kjo pjesë që është shkëputur, është rrezik aktual me të cilin duhet të përballemi.
Kemi dakordësuar me ministren dhe disa këshilltarë, që secili prej jush të shkruajë ditarin e këtyre ditëve në mënyrë sa më detajist me një narrativë sa më të thjeshtë. Jo për ta çuar në institucionet penale, por për të pasur mozaikun e një historie për të kuptuar se çfarë ndodhi kur të mbarojë kjo. Në aspektin e cilësdo nevojë për të ripërshtatur programin e shkollës me ndërveprimin social, jo vetëm për të evidentuar individët. Rritja e fëmijëve po ndodh në një hapësirë sociale ku ata nuk e përfshijnë empatinë. Është fundi i empatisë dhe zëvendësimi i saj me diçka të frikshme deri në pikën kur fëmija e vogël shfaqet në një vandal që djeg e shkatërron. Është e rëndësishme të flitet me prindërit, sepse jemi në kushtet kur agresioni është 360 gradë.
Më keq se agresioni i gurëve është ai i mediave që janë rreshtuar në front për interesa krejt të tjera, të lidhura me paranë, politikën, pushtetin në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social për të rrëzuar qeverinë dhe rrëzuar pushtetin me imponimin e dhunës, që nuk ka për të ndodhur ndonjëherë për asnjë arsye, por që rëndon në psikologjinë e qytetarëve, ndërkohë që ky është një sulm që zhvillohet në një perimetër të mirëpërcaktuar, që zhvillohet nga duar të stërvitura për këtë punë, që ushqehet nga aktorë të huaj, që është kuptuar dhe bërë çështje në gjithë Europën.
Është një luftë hibride që natyrisht funksionon deri në këtë masë dhe bazohet në shqetësime reale, jo fantazira. Janë reale shqetësimet për koston sociale, strehimin dhe të ardhmen dhe në këtë projeksion një nga pikat që institohet është se policia po dhunon protestuesit. Unë kam sjellë me vete një listë për forcën disproporcionale. Ka një fakt elementar, aty ku përdorët forca disproporcionale, raporti i të lënduarve mes protestuesve dhe policisë ka më shumë protestues të lënduar. Sot që flasim jemi deri afër 200 efektivë të lënduar që kanë marrë ndihmë në spital, kundrejt 80 të plagosurve nga protestuesve, ku më pak se gjysma janë studentë”, tha Rama mes të tjerash.


