Policia e Parisit vendosi të hënën orë policore gjatë natës në dy zona të kryeqytetit francez, në përpjekje për ta parandaluar dhunën e mëtejshme, pas një fundjave të shënuar nga trazirat më të rënda në Francë prej vitesh, të cilat shënjestruan bashkitë, ndërtesa të tjera publike dhe mijëra biznese në të gjithë vendin.
Urdhri synon t’i mbrojë “njerëzit dhe pronën nga dhuna dhe plaçkitjet”, thuhet në deklaratën e Policisë së Parisit.
Sipas vendimit ndalohet hyrja apo qëndrimi i kujtdo në Place de la République, ku të shtunën ndodhën trazira, si dhe në zonën tregtare Les Halles, e cila ka qenë objekt i plaçkitjeve.
Ora policore do të jetë në fuqi nga ora 23:00 e së hënës deri në orën 06:00 të së martës. Përveç kësaj, tubimet dhe demonstratat janë të ndaluara nga ora 20:00, njoftoi Policia e Parisit.
Më herët të hënën, kryeministri francez Sebastien Lecornu kishte bërë thirrje për shtetrrethime “shumë të kufizuara” dhe “lokale”.


