Ademi paralajmëron rikthimin e protestave: Provimi i jurisprudencës mbetet maqedonisht

Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, ka shprehur pakënaqësi ndaj propozimit për gjuhën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës, duke vlerësuar se ai nuk garanton një zgjidhje të plotë në gjuhën shqipe dhe nuk përcakton afate konkrete për realizimin e saj.

Në një status në rrjetet sociale, Ademi ka kritikuar mungesën e përparimit drejt zbatimit të kërkesës së studentëve, ndërsa ka paralajmëruar mundësinë e organizimit të sërishëm të protestave.

“Si përfundim, provimi i jurisprudencës mbetet në gjuhën maqedonase! Qëndrimet e zëvendëskryeministrave Fetai dhe Sali u harruan, por ai i shprehur nga kryeministri në shkurt për Komisionin e Venecias – mbetet i njëjti, sigurisht”, shkruan Ademi.

Statusi i plotë i Mevlan Ademit:

Si përfundim provimi i Jurisprudencës mbetet në gjuhën maqedonase!

Qëndrimi i zv/Kryeministrave Fetai dhe Sali u harruan por ai i shprehur nga Kryeministri në shkurt për Komisionin e Venecias mbetet i njejti sigurisht.

Propozimi nuk parasheh mbajtjen e provimit 100% në shqip, nuk jepet afat kohor, anashkalohen Kushtetuta dhe ligjet ekzistuese, ndërsa për provimet e tjera ende nuk ka hapa konkretë.

E çfarë duhet të bëjmë ne tani?

Pozitive është të paktën në mentalitet sepse nga “s’mundet përvec se maqedonisht” të Filkovit shkuam në propozimin 50/50 të Mickoskit e tani kemi arritur në 84% në gjuhën shqipe. Rruga është e mirë, por e vështirë.

Për një zgjidhje të plotë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë.

Por ne studentë s’kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do organizohemi sërisht t’i kthehemi rrugës…