Nagavci: Kosova drejt integrimit në SEPA, priten 58 milionë euro kursime në vit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se miratimi në lexim të dytë i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci e ka cilësuar këtë zhvillim si lajm të mirë për qytetarët, bizneset dhe mërgatën, duke theksuar se vendimi krijon mundësinë për përmbushjen e kushtit të fundit ligjor për anëtarësimin e Kosovës në këtë sistem financiar evropian.

Sipas saj, integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, veçanërisht përmes uljes së kostove të transfereve bankare.

Nagavci ka bërë të ditur se kursimet e pritshme nga ky proces mund të arrijnë në rreth 58 milionë euro në vit, shumë që do të përfitonin qytetarët, bizneset dhe pjesëtarët e mërgatës që dërgojnë mjete financiare në Kosovë.

Postim i plotë:

Lajm shumë i mirë për Kosovën, qytetarët, bizneset dhe mërgatën tonë!

Me miratimin në lexim të dytë të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, Kosova ka shënuar një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area).

Ky vendim i hap rrugë përmbushjes së kushtit të fundit ligjor për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, duke na afruar edhe më shumë me sistemin financiar evropian.

Rreth 58 milionë euro kursime në vit për qytetarët, bizneset dhe mërgatën tonë! Kjo është përfitimi i pritshëm nga ulja e kostove të transfereve bankare pas integrimit në SEPA.

Falënderoj deputetët që me votën e tyre mbështetën të enjtën këtë ligj të rëndësishëm për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë.