Çmimi i cigareve në Gjermani pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Bundestagu gjerman, mbrëmjen e 15 tetorit, miratoi ndryshimet ligjore për rritjen graduale të taksës së duhanit, me votat e grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës, CDU/CSU dhe SPD.
Si pasojë e rritjes së taksave, çmimi mesatar i një pakete me 20 cigare, që aktualisht kushton pak më shumë se 8 euro, pritet të arrijë në afro 12 euro deri në vitin 2030. Ndërsa cigaret e markave të njohura mund të kushtojnë deri në 14 euro për paketë.
Rritja e çmimeve do të prekë edhe duhanin për mbështjelljen e cigareve në mënyrë individuale. Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu rritjen e taksave për purot, duhanin për nargjile dhe lëngjet për cigaret elektronike.
Qeveria pret 12 miliardë euro të ardhura shtesë
Qeveria federale gjermane pret që rritja e taksës së duhanit t’i sjellë buxhetit rreth 12 miliardë euro të ardhura shtesë brenda katër vjetësh.
Vetëm në vitin 2027 parashikohet që të ardhurat shtesë të arrijnë në 1,5 miliardë euro, ndërsa në vitin 2030 pritet një rritje prej 4,5 miliardë eurosh. Vitin e kaluar, shteti gjerman arkëtoi 17,6 miliardë euro nga taksa e duhanit, njofton DW.
Megjithatë, industria e duhanit shpreh dyshime për këto parashikime. Përfaqësuesit e saj paralajmërojnë se rritja e çmimeve mund t’i shtyjë konsumatorët drejt tregut të zi, duke dëmtuar tregtarët që operojnë në mënyrë të ligjshme.
Ky shqetësim është ndarë edhe nga disa deputetë të Unionit CDU/CSU.
Deputeti i CDU-së, Carsten Brodesser, u shpreh në favor të një rritjeje më të moderuar të taksës, me qëllim që konsumatorët të mos orientohen drejt cigareve të blera në vende të tjera të Bashkimit Evropian apo drejt produkteve të tregut të paligjshëm.
“Në fund, nuk do të arrihet as rezultati i dëshiruar fiskal dhe as stabilizimi i tregut të ligjshëm të duhanit”, paralajmëroi Brodesser.
Pavarësisht kundërshtimeve, propozimi u miratua në orët e vona të mbrëmjes në Bundestag, me votat e CDU/CSU-së dhe SPD-së. Kundër votuan dy deputetë nga grupi parlamentar i CDU/CSU-së.
Rritja e taksave synon të shtojë të ardhurat e shtetit gjerman, por mbetet për t’u parë nëse çmimet më të larta do të sjellin të ardhurat e parashikuara apo do të nxisin kalimin e një pjese të konsumatorëve drejt tregut të paligjshëm


