Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë shprehur keqardhje për vendimin e SHBA-së për heqjen e sanksioneve ndaj naftës dizel ruse, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, transmeton Anadolu.
“Këshilli Evropian shpreh keqardhje për vendimin e SHBA-së për heqjen e përkohshme të sanksioneve ndaj naftës dizel ruse”, thuhet në përfundimet e miratuara pas një takimi dyditor të Këshillit Evropian, të mbajtur më 15 dhe 16 tetor në Bruksel.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte arritur një marrëveshje për të siguruar naftë dizel nga Rusia, me qëllim përballimin e çmimeve të larta të karburanteve.
Liderët bënë thirrje për rikthimin e menjëhershëm të lundrimit të sigurt për të gjitha anijet civile dhe tregtare në Detin e Zi, duke i cilësuar sulmet ndaj transportit detar, përfshirë ato në zonat ekskluzive ekonomike të Bullgarisë dhe Rumanisë, si “të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj detare”.
Ata kërkuan masa më të forta për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride, për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe për të përmirësuar gatishmërinë, duke bërë të ditur se do të shqyrtojnë urgjentisht masa të tjera kufizuese dhe kërkesa më të rrepta për viza për shtetasit rusë.
Sa i përket sigurisë evropiane, liderët theksuan nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së, duke ruajtur njëkohësisht rolin e NATO-s si themelin e mbrojtjes kolektive për anëtarët e saj.
Lindja e Mesme dhe GJNP-ja
Lidhur me Lindjen e Mesme, liderët shprehën shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve dhe bënë thirrje për përpjekje diplomatike për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm, duke theksuar rëndësinë e lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare.
Ata dënuan ashpër kërcënimet ndaj transportit detar tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe kërkuan që çdo marrëveshje lidhur me këtë rrugë ujore të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Liderët gjithashtu dënuan sulmet e rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite dhe anijeve civile në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab al-Mandab, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake.
Për Gazën dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ata shprehën shqetësim të thellë për përkeqësimin e krizës humanitare, dënuan zgjerimin e paligjshëm të vendbanimeve izraelite dhe “dhunën e vazhdueshme dhe në rritje të kolonëve” ndaj civilëve palestinezë.
Liderët i bënë thirrje Izraelit të tërheqë planet e paligjshme për zgjerimin e vendbanimeve, përfshirë projektin e propozuar të ndërtimit në zonën E1.
“(Këshilli Evropian) përsërit se bizneset nuk duhet të konkurrojnë për kontrata ndërtimi në zonën E1 apo për projekte të tjera të zgjerimit të vendbanimeve dhe thekson pasojat ligjore, ekonomike dhe reputacionale për bizneset dhe institucionet financiare që marrin pjesë në ndërtimin e vendbanimeve, përfshirë rrezikun e shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Liderët shprehën gjithashtu keqardhje për sanksionet e SHBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke i bërë thirrje Washingtonit t’i shfuqizojë masat dhe duke rikonfirmuar gatishmërinë e BE-së për ta mbrojtur gjykatën dhe për të siguruar vazhdimësinë e qasjes së saj në shërbimet financiare dhe shërbime të tjera.


