Mickoski: Lëshohet në përdorim SHF “Krste Petkov Misirkov”

Deri para disa vitesh, këtu kishin mbetur vetëm baraka nga koha e tërmetit, më shumë se 50 vjet më parë. Fëmijët mësonin në kushte nën standarde, ndryshe nga ato që mund të shohim sot, kushte vërtet evropiane, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në lëshimin në përdorim të objektit të ri të shkollës fillore “Krste Petkov Misirkov” në lagjen Hasanbeg, në Komunën e Gazi Babës.

Sipas tij, shkolla e re është rezultat i përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe pjesë e ciklit më të gjerë investues që Qeveria po e realizon në bashkëpunim me komunat. Ai theksoi se aktualisht në mbarë vendin janë duke u realizuar më shumë se 1.200 projekte si rezultat i politikave për mbështetjen e vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimin e mjeteve.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për Komunën e Gazi Babës, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe banorët e Hasanbegut për durimin e tyre gjatë zbatimit të projektit, duke vlerësuar se shkolla e re do t’u ofrojë brezave të ardhshëm kushte mësimdhënieje dukshëm më të mira se ato që kishin prindërit e tyre.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska theksoi se objekti i ri është dëshmi për realizim të projekteve të premtuara në arsim dhe për investimet e vazhdueshme në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Kjo që po shohim sot është dëshmi se atë që kemi premtuar, po e realizojmë. Nxënësve dhe mësimdhënësve u sigurohet një motiv shtesë për përmirësimin e cilësisë së arsimit”, tha Janevska.

Ajo theksoi se projekte të ngjashme për ndërtim dhe rikonstruim të shkollave, sallave sportive dhe terreneve sportive realizohen në mbarë vendin me qëllim që të krijohen kushte më të mira për arsim.

Nga baraka të vjetra më shumë se 50 vjet, nxënësit në Hasanbeg tashmë do të kenë shkollë me kushte evropiane - lëshohet në përdorim SHF

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, informoi se shkolla e re është objekt bashkëkohor dhe plotësisht gjithëpërfshirës me 30 kabinete dhe kapacitet për 713 nxënës.

“Investimi total arrin në 170 milionë denarë. Arsimi mbetet fokusi ynë dhe për këtë arsye po punojmë paralelisht edhe në ndërtimin e një salle të re sportive shkollore në Zhelezarë, duke zgjeruar kapacitetet e shkollave ‘Njegosh’ në Jurumleri dhe ‘Krum Toshev’ në Trubarevo, si dhe sallën e re sportive në Creshevë“, tha Stefkovski.

Ai shtoi se qëllimi i vetëqeverisjes lokale është zhvillimi i balancuar i të gjitha vendbanimeve në komunë përmes investimeve në arsim, sport dhe infrastrukturë publike.

Ndërtesa e re e shkollës fillore “Krste Petkov Misirkov” në lagjen Hasanbeg është ndërtuar në vendin e barakave të vjetra ku mbahej mësimi me dekada. Është një ndërtesë moderne shkollore në katin përdhes dhe me një kat me sipërfaqe totale prej 3.128 metra katrorë. Objekti është projektuar si një shkollë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe është e pajisur me ashensor, duke mundësuar qasje të papenguar për nxënësit me aftësi të kufizuara.