Studentët nisin të mbushin rrugët, përveç Tiranës përfshihen edhe qytete të tjera

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin nga Rruga e Dibrës në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë që edhe Lezha, Shkodra, Burreli, Laçi, Elbasani dhe Korça janë zgjuar këtë të premte me protesta. Të rinjtë, gjimnazistë dhe studentë, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Në Shkodër është sulmuar sërish selia e PS-së ku të rinjtë kanë qëlluar me gurë drejt xhamave.

Në Lezhë ka pasur tensione mes protestuesve dhe Policisë, ku palët janë përplasur fizikisht. Në drejtim të një gjimnazi janë hedhur gurë. Më pas, Policisë i është dhënë urdhër të tërhiqet dhe të shmangë përplasjet me të rinjtë.

Në tre ditët e para të protestës janë shënuar përplasje të forta me policinë dhe incidente të dhunshme.

Studentët kanë sulmuar me sende të forta dhe kanë tentuar t’u vënë zjarrin institucioneve publike, ndërkohë që në shënjestër kanë qenë edhe biznese private. 

Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot pranë bizneseve të dëmtuara nga flakët e vendosura nga protestuesit një natë më parë në Tiranë.

“Kjo flakë nuk është e studentëve, edhe këtë sprovë do ta kalojmë bashkë”, ka deklaruar ai.

E, Gjykata të premten ka vendosur që ta lë në burg një prej protestuesve të arrestuar gjatë ditës së parë të përplasjeve.